Vuçiq shpërfillë BE-në, takohet me Lavrovin: Do të kemi marrëveshje të re për gazin me Rusinë

Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar të enjten me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Vuçiq tha se me Lavrovin ka zhvilluar një bisedë për sigurinë energjetike dhe krizën globale në sektorin e energjisë. Ai shprehu shpresën se deri në fund të shtatorit Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje të re për furnizimin me gaz me Rusinë, shkruan b92.

“Bisedë e hapur dhe përmbajtësore me ministrin Sergej Lavrov për sigurinë energjetike në kontekstin e krizës së përgjithshme globale në këtë sektor, ku shpreha shpresën se deri në fund të shtatorit do të nënshkruajmë një marrëveshje të re për gazin me Federatën Ruse”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Sipas tij, në takim janë diskutuar edhe marrëdhëniet dypalëshe, forcimi i bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet gjeopolitike dhe roli i Kombeve të Bashkuara në situatën aktuale ndërkombëtare.

Ai theksoi gjithashtu se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Takimi vjen në një kohë kur po afrohet skadimi i marrëveshjes aktuale të gazit mes Serbisë dhe Rusisë. Vuçiq kishte paralajmëruar më herët se furnizimi me gaz po vazhdon normalisht, por se marrëveshja e re mbetet një çështje e rëndësishme për bisedimet me palën ruse.

Vuçiq ndodhet në New York për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku gjatë qëndrimit të tij ka zhvilluar edhe takime të tjera me liderë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme. /Telegrafi/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button