Egjipti kërkon qasje “të vazhdueshme” humanitare në Gaza dhe nisjen e rimëkëmbjes së hershme

Ministri i Punëve të Jashtme i Egjiptit, Badr Abdelatty, ka bërë thirrje për qasje humanitare “të vazhdueshme dhe pa pengesa” në Rripin e Gazës dhe për nisjen e përpjekjeve të hershme për rimëkëmbje, me qëllim sigurimin e mjeteve të jetesës për palestinezët, transmeton Anadolu.
Abdelatty, njofton Ministria e Punëve të Jashtme, i bëri komentet gjatë pjesëmarrjes në një tryezë të rrumbullakët ministrore mbi qasjen humanitare dhe kujdesin shëndetësor në Gaza.
Takimi u mbajt në New York, në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe u organizua nga Mbretëria e Bashkuar, në partneritet me Jordaninë dhe Katarin, për të diskutuar qasjen humanitare dhe kujdesin shëndetësor në Gaza.
Sekretari britanik i Shtetit për Punët e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin, Ed Miliband, drejtoi takimin, i cili u bashkëkryesua nga zv/kryeministri dhe ministri jordanez i Punëve të Jashtme, Ayman Safadi, si dhe Katari, përfaqësuesi i të cilit nuk u identifikua në deklaratë.
Në takim morën pjesë gjithashtu disa ministra të jashtëm, zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe agjencive humanitare.
Abdelatty paraqiti përpjekjet humanitare të Egjiptit për të mbështetur palestinezët dhe kontaktet e vazhdueshme me palët, me synim përmirësimin e kushteve humanitare në Gaza.
Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit të territorit palestinez dhe të vazhdimësisë gjeografike dhe politike ndërmjet Gazës dhe Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor.
Abdelatty gjithashtu theksoi nevojën për të “mbështetur institucionet palestineze dhe për t’u mundësuar atyre të përmbushin përgjegjësitë e tyre, duke ruajtur rolin qendror të agjencive të OKB-së, veçanërisht të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA)”.
“Këto përpjekje do të forconin qëndrueshmërinë e palestinezëve në tokën e tyre dhe do të hapnin rrugën për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e hershëm, si pjesë e një procesi politik të besueshëm që çon drejt krijimit të një shteti palestinez”, tha ai.
Pjesëmarrësit diskutuan zhvillimet në situatën humanitare, shëndetësore dhe në terren në Gaza, si dhe mënyrat për t’i shndërruar përpjekjet ndërkombëtare në masa praktike për përmirësimin e kushteve të jetesës së palestinezëve.
Ata diskutuan gjithashtu përmbushjen e kërkesave të fazës së parë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump dhe kalimin pa vonesë në fazën e dytë, duke siguruar që të gjitha palët të përmbushin angazhimet e tyre dhe të konsolidojnë armëpushimin.
Takimi theksoi nevojën për të garantuar qasje të sigurt, të plotë, të vazhdueshme dhe pa pengesa për ndihmën humanitare dhe mjekësore, për të lehtësuar evakuimet mjekësore të pacientëve dhe të plagosurve, si dhe për të lejuar hyrjen e furnizimeve, ilaçeve dhe pajisjeve të nevojshme për funksionimin e spitaleve dhe objekteve jetike.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu përgatitjet urgjente për përmbushjen e nevojave humanitare në Gaza, ndërsa afrohet dimri.
Bisedimet zhvillohen në një kohë kur Gaza përballet me kushte katastrofike humanitare, mes luftës gjenocidale të Izraelit që nga 8 tetori 2023, e cila ka vrarë më shumë se 73.000 palestinezë dhe ka plagosur 174.000 të tjerë, ndërsa 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.



