Latifi në Strugë: Tranzicioni energjetik nuk është më zgjedhje, rrjeti duhet të përshtatet me ndryshimet

Tranzicioni energjetik nuk është më një zgjedhje, ndërsa sfida kryesore është zbatimi i tij duke ruajtur stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe duke mundësuar integrimin në kohë të burimeve dhe konsumatorëve të rinj. Kështu u shpreh drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, doc. dr. Burim Latifi, në konferencën ndërkombëtare “ENERGJETIKA 2026”, që po zhvillohet në Strugë.
Latifi theksoi se sektori energjetik po përballet me ndryshime të shpejta, përfshirë rritjen e prodhimit nga energjia diellore dhe e erës, zhvillimin e sistemeve të magazinimit dhe rritjen e kërkesës nga industria dhe konsumatorët e rinj, si qendrat e të dhënave.
Sipas tij, zhvillimi i kapaciteteve prodhuese duhet të shoqërohet me investime në rrjetin e transmetimit, përfshirë linja të reja, trafostacione, rritje të kapaciteteve dhe përmirësim të menaxhimit të sistemit.
Në konferencë, kryetari i ZEMAK-ut, Borko Aleksoski, tha se fokusi po zhvendoset nga rritja e prodhimit nga burimet e rinovueshme drejt integrimit të tyre të sigurt dhe efikas në sistem.
Konferenca “ENERGJETIKA 2026” do të trajtojë zhvillimet e ardhshme të sektorit energjetik, me fokus te magazinimi i energjisë, mekanizmat e tregut, integrimi i burimeve të rinovueshme dhe krijimi i një sistemi elektroenergjetik më fleksibil dhe rezistent.



