Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, BE-ja dhe NATO-ja kërkojnë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë

Në përvjetorin e tretë të sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kërkuan që përgjegjësit për këtë sulm të përballen me drejtësinë.
BE-ja shprehu keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm ndaj të dyshuarve që gjenden në territorin e saj. Ndërkaq, një zyrtar i NATO-s tha se sulmet e kryera ndaj paqeruajtësve të KFOR-it dhe sulmi në Banjskë “janë të papranueshme”, duke shtuar se vazhdon të bëjë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësi.
“BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe shpreh keqardhje që, deri më tani, Serbia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të arrestuar dhe ndjekur penalisht ata, me akuza përkatëse, të personave që gjenden në Serbi”, tha një zëdhënës i BE-së.
Një zyrtar i NATO-s, ndërkaq, theksoi se aleanca vazhdimisht bënë thirrje që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë, duke shtuar se nga Serbia presin që partneriteti të jetë i ndërsjellë.
“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Serbia është e rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe presim që partneriteti ynë të jetë i ndërsjellë. Presim që Serbia të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj në mënyrë konstruktive. Për këtë çështje, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdon të jetë në kontakt me presidentin Vuçiq”, tha zyrtari.
Ai shtoi se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është në gatishmëri për t’u përballur me çdo zhvillim të sigurisë, përfshirë edhe shtimin e pranisë në veri, “me patrullime, pika vëzhgimi dhe kontakte me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”.
Tre vjet më parë, në Banjskë të Zveçanit një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit, tre sulmues serbë u vranë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Radoiçiq ka adresë të regjistruar në Serbi, teksa Kosova vazhdimisht kërkon që ai të ekstradohet në mënyrë që të përballet me drejtësinë.
“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë juridike. Kjo çështje ka mbetur pezull për një kohë të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë sa më shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së.
Në deklaratën e BE-së tha se çështjen e Banjskës, përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, e ka ngritur gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit në Nju Jork.
Po në Nju Jork, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ngriti çështjen e sulmit në Banjskë gjatë takimit me Kallasin.
Kuri tha se Radoiçiq dhe persona të tjerë që morën pjesë në sulm po “mbrohen nga presidenti i Serbisë”, duke shtuar se ka kërkuar përkrahjen e BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për këtë çështje.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht që të përfshirët në sulm të përballen me drejtësinë.
Kosova ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqit, për sulmin në Banjskë. Gjykimi është mbajtur vetëm ndaj tre personave, të cilët janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit: një me 30 vjet burgim dhe dy persona me burgim të përjetshëm.



