BE nuk sheh mungesa aktuale të karburantit, por paralajmëron rreziqe për furnizimin me karburant për avionë

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) nuk ka mungesa të menjëhershme të karburantit, por problemet me furnizimin mund të shfaqen në të ardhmen e afërt, veçanërisht për karburantin e avionëve, transmeton Anadolu.
Duke iu përgjigjur një raporti të fundit që sugjeronte se linjat ajrore evropiane i kanë kërkuar BE-së të ndërhyjë me masa emergjente për të përballuar pasojat e luftës me Iranin, përfshirë mbylljet e gjera të hapësirës ajrore dhe shqetësimet në rritje për mungesën e karburantit për avionë, Itkonen, tha se aktualisht nuk ka “asnjë provë” për mungesa karburanti në të gjithë bllokun evropian.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se situata mund të ndryshojë, me karburantin për aviacionin që paraqet shqetësimin më të madh.
“Problemet me furnizimin mund të ndodhin në të ardhmen e afërt, veçanërisht për karburantin e avionëve. Situata e karburantit për avionë mbetet shqetësimi ynë kryesor për momentin”, tha ajo.
Itkonen theksoi se autoritetet e BE-së po bashkërendojnë ngushtë me shtetet anëtare dhe aktorët e industrisë për të monitoruar zhvillimet në kohë reale.
Ajo shtoi se një takim i Task Forcës së Unionit të Energjisë, i mbajtur javën e kaluar, konfirmoi se furnizimet me naftë të papërpunuar për rafineritë e BE-së mbeten të qëndrueshme, pa nevojë të menjëhershme për lirimin e rezervave strategjike shtesë.



