Ministri ekstremist izraelit: Kancelari gjerman të kërkojë falje për deklaratën mbi Bregun Perëndimor

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich pret kërkimfalje nga kancelari gjerman Friedrich Merz për deklaratën e tij se “nuk duhet të ketë aneksim ‘de facto’ të Bregut Perëndimor”, transmeton Anadolu.
“Në prag të Ditës së Përkujtimit të Holokaustit, kancelari gjerman duhet të ulë kokën dhe të kërkojë falje një mijë herë në emër të Gjermanisë, në vend që të guxojë të na predikojë moral se si të sillemi kundër nazistëve të gjeneratës sonë”, tha Smotrich në platformën amerikane të mediave sociale X të hënën vonë.
“Izraeli nuk do të pranojë udhëzime nga udhëheqës hipokritë në Evropë, një kontinent që po humbet përsëri ndërgjegjen dhe aftësinë e tij për të dalluar të mirën nga e keqja”, pohoi ai.
“Ditët kur gjermanët u diktonin hebrenjve kanë mbaruar”, tha Smotrich.
“Kthimi ynë në tokën e Izraelit, atdheu ynë biblik dhe historik, është përgjigjja për këdo që u përpoq ose përpiqet të na shkatërrojë dhe ne nuk kërkojmë falje për këtë për asnjë moment”, tha ai.
Komentet e ministrit të ekstremit të djathtë erdhën pasi kancelari gjerman Merz të hënën shprehu “shqetësim të thellë” për situatën në territoret palestineze, duke thënë se një “aneksim ‘de facto’ i pjesshëm i Bregut Perëndimor duhet të parandalohet”.
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, sulmet nga ushtria izraelite dhe pushtuesit në Bregun Perëndimor kanë vrarë të paktën 1.133 palestinezë, kanë plagosur rreth 11.700 të tjerë dhe kanë çuar në gati 22 mijë arrestime, sipas shifrave palestineze.
Në një mendim historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.



