Gratë e moshës së mesme si unë, feminizmi i ka lënë beqare, pa fëmijë dhe në depresion

Shkruan: Petronella Wyatt
Gjithnjë e më shumë kam ndjesinë se feminizmi e ka zhgënjyer brezin tim. Një veçori e Perëndimit është se ai ndahet në grupe me bindje thellësisht të ndryshme. Kjo ndarje nisi me Reformacionin dhe që prej asaj kohe është thelluar. Protestantët dhe katolikët kishin dallime themelore, si në çështjet e besimit, ashtu edhe në ato të jetës praktike. Feminizmi lindi në bashkësitë protestante dhe pikërisht në vende protestante si Amerika dhe Britania bindjet feministe janë shprehur me zërin më të lartë e me tonin më të ashpër, si një fe pa pikë agnosticizmi. Margaret Thatcher, sado që do ta kishte mohuar, ishte feministe në praktikë. Vështirë të përfytyrosh që një vend katolik të nxirrte dikë si ajo.
Në një nga ato takime prej të cilave mëson diçka për jetën, e njoha Zonjën Thatcher në shtëpinë e babait tim të ndjerë. Isha 13 vjeçe. Ajo sapo ishte bërë kryeministre dhe, pasi na prezantuan, zuri të më fliste sikur të kishte përballë një tubim publik, siç kishte thënë dikur Mbretëresha Viktoria për Gladstone-in. Thelbin e fjalës së saj çdo feministe e kohës do ta kishte pritur me brohoritje. Me pak fjalë, karriera e një gruaje kishte shumë më tepër rëndësi se marrëdhëniet e saj me seksin tjetër. Në martesën e vet, i shoqi mund të kishte qenë fare mirë një figurë pa peshë. Madje, kur çifti Thatcher darkonte me ne, Denisi tërhiqej në sallon bashkë me gratë.
Edhe në shkollën time private, St Paul’s Girls’ School, neve, bijave të epokës së Thatcher-it, na edukonin që t’ia kthenim shpinën martesës dhe punëve që tradicionalisht u liheshin grave. Më kujtohet se si Shirley Conran u përpoq të na qortonte me fjalët “vajzat e St Paul’s mendojnë, nuk gatuajnë”. E gjithë kjo tingëllon bukur kur je e re dhe synon të bësh gjëra të mëdha. Siç thotë Shekspiri “kur vdesin lypsarët, nuk shfaqet asnjë kometë. / Vetë qiejt flakërojnë kur vdesin princat”.
Historikisht, sigurisht, feministet kishin të drejtë në disa pika. Dikur, kur gratë vareshin fillimisht nga baballarët e pastaj nga bashkëshortët, jeta e tyre ishte pa dyshim e vështirë. Me një arsimim të mirë, një grua mund të siguronte një jetesë të rehatshme pa pasur nevojë për miratimin e burrave. Mirëpo, sapo të mbizotëronte dëshira për t’u martuar e për të pasur fëmijë, ajo pothuajse me siguri do ta humbiste punën. Kështu do të mbetej e lidhur pas shtëpisë, e detyruar të merrej me një mijë punë të rëndomta e poshtëruese, shumë nën aftësitë e saj.
Por bota ka ndryshuar në një mënyrë që një feministe e kohëve të para do ta gjente të pakuptueshme dhe groteske. Madje, bartëset e sotme të flamurit të feminizmit do t’i shihte si figura boshe e qesharake. Ndonjëherë mendoj se Perëndimi e ka tejkaluar krejtësisht filozofinë feministe dhe se duhet ta lërë pas.
Ku na lë kjo, për shembull, ne gratë që kemi arritur në moshën 54-vjeçare, si unë, dhe e gjejmë veten beqare e pa fëmijë? Duke përqafuar veprën e plotë të Prustit apo duke u vjedhur për në pijetore, në kërkim të kujtimeve të kohës së dehur? Një në dhjetë gra britanike në të pesëdhjetat nuk është martuar kurrë dhe jeton vetëm, një gjendje as e këndshme, as e shëndetshme.
Sipas një studimi të kohëve të fundit nga një institut mjekësor amerikan, vetmia është shkaku kryesor i depresionit te gratë e moshës së mesme. Unë e di mirë, sepse kohët e fundit rashë në darën e pamëshirshme të sëmundjes mendore. Përfundova disa herë në spital, pasi pata impulse aq të errëta sa miqtë u shqetësuan për mua. Më kujtohet se një herë, në urgjencë, një infermiere më pyeti nëse kisha bërë plane për t’i dhënë fund jetës. Iu përgjigja se ato, njësoj si pikëpamjet e Keir Starmerit për gratë, ende s’kishin marrë formë.
Por e vërteta është se një pjesë e madhe e depresionit tim buronte nga një vetmi nga e cila do t’ia mbathnin edhe macet e rrugicave. Nga brezi im, s’njoh asnjë grua beqare që jeton kështu dhe që vërtet e pëlqen këtë jetë. Halli ynë i ngjan atij të votuesit konservator ose të disa pakicave përpara reformave liberale të viteve ’60. Njerëz si unë jetojnë në gjysmëhije, me frikë të dalin gjatë ditës, duke ia qarë hallin njëri-tjetrit pas dyerve të mbyllura. Tani, falë Brezit Z, jemi grupi që s’guxon ta thotë emrin e vet. Lexuesit mund të mos pajtohen, por unë kam simpati për Brezin Z. E kam me gjithë mend. Arsyen e gjej te dëshira e tyre për një jetë të përmbushur emocionalisht dhe te intuita se ngrohtësia njerëzore dhe marrëdhëniet kanë po aq rëndësi sa puna, në mos më shumë. Përtacia e tyre më ngjall më pak simpati.
Kohët e fundit, kur depresioni më kishte ligështuar aq sa mezi ia dilja, në shtëpinë time banonte një studente. Ishte 24 vjeçe, me flokë të zinj që lëshonin një shkëlqim të kaltër dhe me lëkurë që dukej sikur e ndriçonte vezullimi i fundit i diellit. Pas një jave që njiheshim, e kuptova se për të ishte e papranueshme ta mbushte moshën 30 vjeçe pa u martuar e pa lindur fëmijë. Ashtu si Krishti në kopshtin e Gjetsemanit, donte ta largonte atë kupë nga buzët. Me pak fjalë, donte ta jetonte jetën si grua.
Feminizmi gaboi kur na tha të silleshim e të mendonim si burrat. Ishte një gabim i rëndë dhe gra si unë po e paguajnë, si lojtarët në një kazino ku loja është kurdisur. Ne s’jemi burra dhe, në jetën beqare, me takimet e saj kalimtare, vëmë shumë më tepër në lojë dhe kemi më shumë për të humbur. Do të doja të mos më kishin mësuar të hidhaj kaq shumë në lojë me një hedhje të vetme zari. Edhe princat e Shekspirit kishin nevojë për dikë që të kujdesej për ta në pleqëri.
(Petronella Wyatt është publiciste dhe gazetare britanike)



