“Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup apelon te qytetarët: Kanalizimi nuk është kosh mbeturinash!

Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” në Shkup u ka bërë apel qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në pusetat e kanalizimit, pasi kjo shkakton bllokimin e rrjetit dhe pengon funksionimin normal të sistemit.
Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se ekipet e tyre intervenojnë çdo ditë në terren për të larguar mbeturina të ndryshme nga rrjeti i kanalizimit, përfshirë peceta të lagura, pelena, produkte higjienike dhe materiale të tjera të papërshtatshme.
Sipas tyre, hedhja e këtyre materialeve në kanalizim shkakton bllokimin e gypave dhe pusetave, vështirëson qarkullimin e ujërave dhe mund të çojë në defekte të sistemit.
Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet thirrje që mbeturinat e tilla t’i hedhin në shportat e dedikuara dhe jo në kanalizim.
Nga ndërmarrja theksojnë se mirëmbajtja e rrjetit të kanalizimit është përgjegjësi e përbashkët dhe se hedhja e duhur e mbeturinave ndihmon në parandalimin e bllokimeve dhe defekteve.



