Trump i kërkon Netanyahut të avancojë planin për Gazën pas zgjedhjeve izraelite

Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ndërmarrë hapa drejt zbatimit të planit të tij për Gazën pas zgjedhjeve parlamentare në Izrael, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.

Trump e përcolli këtë mesazh gjatë një bisede telefonike me Netanyahun të enjten, njoftoi të dielën kanali televiziv izraelit “Channel 12”, duke cituar dy burime të njohura me diskutimet.

Presidenti amerikan kërkon përparim lidhur me planin, i cili përfshin kalimin e administrimit të Gazës te një komitet teknokratik palestinez dhe vendosjen e armëve nën mbikëqyrje ndërkombëtare, krahas një tërheqjeje izraelite në faza dhe përpjekjeve për rindërtim, pavarësisht se cila qeveri do të marrë pushtetin në Izrael, thuhet në raport.

Sipas medias në fjalë, zbatimi i planit ka mbetur kryesisht i pezulluar për muaj të tërë për shkak të fushatës zgjedhore në Izrael, pasi Washingtoni donte të shmangte shndërrimin e kësaj çështjeje në një temë politikisht të ndjeshme.

Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se administrata e Trumpit pret tani që Izraeli të miratojë hapa që ishin shtyrë për arsye të politikës së brendshme. “Ne duam të ecim përpara në mënyrë bashkëpunuese dhe na duhet bashkëpunim i plotë e partneritet i plotë nga qeveria izraelite”, tha zyrtari.

Ai shtoi se rindërtimi i Gazës nuk do të fillojë pa përparim në çarmatimin e Hamasit, duke theksuar se ky proces do të jetë gradual dhe do t’i nënshtrohet verifikimit. Në bisedën e së enjtes morën pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio si dhe të dërguarit e Trumpit, Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Sipas raportimeve, në bisedë u trajtua edhe konflikti me Iranin.

Raporti thekson se ish-kryeministri britanik Tony Blair, anëtar i lartë i Bordit për Paqen të Trumpit, vizitoi Izraelin të nesërmen dhe u takua me Netanyahun e me liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, për të inkurajuar mbështetjen për këtë plan.

Faza e parë e planit të Trumpit për Gazën, i shpallur në vitin 2025, përfshin armëpushim si dhe lirimin e pengjeve izraelite dhe të të burgosurve palestinezë. Faza e dytë parashikon kalimin e administrimit të Gazës te një komitet teknokratik palestinez, vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi dhe vënien e armëve nën përgjegjësinë e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës nën mbikëqyrje ndërkombëtare krahas një tërheqjeje izraelite në faza dhe përpjekjeve për rindërtim.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë në një sulm vdekjeprurës ndaj Gazës, i cili e ka lënë të gjithë territorin në gërmadha. Kjo nismë e re nga ana e SHBA-së vjen në një kohë kur Izraeli përballet me pasiguri lidhur me formimin e një qeverie të re, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button