Në portet turke u regjistruan 457,4 milionë tonë ngarkesa në periudhën janar-tetor

Portet turke regjistruan 457,4 milionë tonë mallra gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, deklaroi sot ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Turqisë, transmeton Anadolu.
Vëllimi i transportit të kontejnerëve u rrit me 2,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 11,9 milionë njësi ekuivalente me njëzet këmbë (TEU), bëri të ditur Abdulkadir Uraloglu në platformën sociale turke NSosyal.
TEU është njësi standarde matëse e kapacitetit të kontejnerëve, e barasvlershme me një kontejner transporti me gjatësi prej 20 këmbësh. Një kontejner standard me gjatësi prej 40 këmbësh llogaritet si dy TEU.
Tonazhi i mallrave mat peshën e mallrave të përpunuara ndërsa TEU-të matin vëllimin e kontejnerëve, duke ofruar tregues të veçantë për aktivitetin portual. Vetëm gjatë muajit tetor, portet regjistruan 45,2 milionë tonë mallra dhe 1,23 milion TEU kontejnerë, shtoi ai.
“Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të rritur pjesën e Turqisë në tregtinë detare dhe për të shtuar kapacitetin dhe konkurrueshmërinë e porteve tona”, tha Uraloglu.
Bazuar në shifrat e rrumbullakosura të publikuara nga Uraloglu, mesatarja mujore e mallrave të regjistruara gjatë periudhës janar-tetor ishte rreth 45,7 milionë tonë ndërsa ajo e kontejnerëve arriti në 1,19 milion TEU.
Vëllimi i kontejnerëve të regjistruar në tetor tejkaloi këtë mesatare mujore, duke përbërë rreth 10,3 për qind të totalit për dhjetë muajt e parë të vitit.



