Ramazani po vjen… a po përgatitemi?

Abdusamed Zeqiri, Shkup
Besimtarë të nderuar, gjendemi në prag të muajit të agjërimit, i cili vjen si një muaj i veçantë, të cilin mund ta quajmë “pranvera e jetës islame”, sepse përgjatë tij ripërtërihet jeta në tërësi, ripërtërihen mendjet me njohuri, ripërtërihen zemrat me besim, ripërtërihet shoqëria me unitet e harmoni dhe ripërtërihet shpirti me devotshmëri.
Megjithatë, kur vjen Ramazani ndodh një dukuri tjetër. Shumë njerëz përgatiten për ta pritur Ramazanin duke i menduar tryezat, ushqimet e ndryshme dhe darkat solemne. Tregu dhe dyqanet mbushet me blerës, ndërsa tregtarët i mbushin dyqanet me produkte ushqimore dhe ofrojnë zbritje të ndryshme për këtë muaj. Në anën tjetër, restorantet përgatisin menu të veçanta. Këto përgatitje janë kryesisht materiale dhe lidhen me nevojat e përditshme të njerëzve. Edhe rrugët ndriçohen, ndërsa shtëpitë dhe xhamitë pastrohen dhe zbukurohen.
Por, zemrat? Zemrat, për fat të keq, shpesh mbeten bosh. Sot, për Ramazan, përgatitet më shumë frigoriferi sesa shpirti, më shumë kuzhina sesa zemra. Dhe, ky është një realitet që duhet të na shqetësojë.
Megjithatë, përgatitja më e rëndësishme për Ramazan është ajo shpirtërore, të cilën duhet ta bëjë besimtari musliman. Allahu i Madhëruar nuk na ftoi në Ramazan për luks e teprim. Ai na ftoi për devotshmëri, për pastrim, për kthim tek vetja dhe kthim tek Allahu xh.sh.: “O ju që keni besuar, ju është obliguar agjërimi ashtu siç u ishte obliguar dhe paraardhësve tuaj, që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183). Ndërsa devotshmëria nuk blihet me para. Ajo nuk gjendet në shportat e stërmbushura, por në zemrat që kërkojnë mëshirë.
O besimtarë, Ramazani është mysafir i ndershëm. Ai troket në zemrat tona një herë në vit. Por çfarë gjen kur hyn mbrenda? A gjen pendim apo kryeneçësi? A gjen lot apo shkujdesje? A gjen Kur’an apo zhurmë?
Pejgamberi a.s. na ka paralajmëruar me fjalë që e dridhin shpirtin:“Sa agjërues ka që nga agjërimi i tij nuk ka asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes. ”(Ibn Maxhe) Sa e dhimbshme është kjo! Barku bosh, por edhe zemra mbetet e ngurtë. Gojët mbyllen për ushqim, por hapen për përgojim, gënjeshtra e grindje.
Ramazani nuk është muaj për ta shtuar ushqimin, por për ta shtypur egon. Ramazani nuk është muaj për t’i mbushur tryezat, por për t’i zbrazur zemrat nga mëkatet. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga gënjeshtra dhe veprat e këqija, Allahu nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe pija.” (Buhariu)
Vëllezër besimtarë, Ramazani është muaj diagnostikimi. Ai na tregon kush jemi vërtet. Nëse nuk na e ndryshon sjelljen, gjuhën e zemrën, atëherë problemi nuk është te Ramazani, por tek ne.
Prandaj, këtë vit, mos ia hapni Ramazanit xhepat që ai t’jua harxhojë të hollat, e as barqet që t’i mbushni me ushqim, e as sytë e veshët për programet televizive dhe serialet e ndryshme që ua marrin vëmendjen. Por, hapeni zemrën për pendim, për falje, për Kur’an. Hapeni zemrën për lot që e pastrojnë shpirtin!
Besimtari musliman përgatitet për Ramazan duke e pastruar zemrën dhe mendjen, duke u penduar për gabimet e së kaluarës dhe duke e forcuar lidhjen me Allahun. Ramazani nuk është vetëm agjërim nga ushqimi dhe pija, por edhe agjërim nga fjalët e këqija, nga sjelljet e pahijshme dhe nga veprat e ndaluara. Prandaj, muslimani duhet t’i shtojë adhurimet, si namazi, leximi i Kur’anit, lutjet dhe dhënia e sadakasë.
Po ashtu, përgatitja për Ramazan përfshin edhe rregullimin e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë, faljen e atyre që na kanë lënduar dhe përhapjen e mirësisë. Vetëm kështu Ramazani mund të shfrytëzohet plotësisht dhe të sjellë paqe, durim dhe bekim në jetën e besimtarit.
Vllezër të dashur, le të mos lejojmë që Ramazani të kalojë pranë nesh pa hyrë brenda nesh. Ta lejojmë të na thyejë, të na shërojë dhe të na ringjallë. Sepse Ramazani nuk ka ardhur për ta ndryshuar mënyrën si e hamë ushqimin dhe sa ushqim hamë apo nuk hamë, por mënyrën se si e perceptojmë ushqimin dhe, në përgjithësi, si e jetojmë jetën!
O Allah, na ndihmo që me lehtësi e kënaqësi ta agjërojmë këtë Ramazan dhe ta fitojmë mëshirën dhe faljen Tënde! Amin, ashtu qoftë.
*Hutbe e xhamisë së Mustafa Pashës



