Bashkim Murtezi: Ndryshimet po ndodhin – rinia shqiptare u çlirua nga heshtja 22-vjeçare

Shkruan Bashkim Murtezi: ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit rreth kërkesës së studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo çështje është pasojë e më shumë se dy dekadave të politikave të dështuara ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Murtezit, padrejtësia ndaj studentëve nuk është problem i ri, por realitet që ka ekzistuar për 22 vite me radhë, pavarësisht se në këtë periudhë kanë ekzistuar institucione, ministra shqiptarë dhe mekanizma të mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë çështje.
“Për 22 vite studentët shqiptarë u edukuan të heshtin, të durojnë dhe ta pranojnë padrejtësinë si normalitet. Tragjedia më e madhe nuk ishte vetëm diskriminimi institucional, por normalizimi psikologjik i tij”, thekson Murtezi.
Ai kritikon ashpër ish-pushtetin shqiptar, duke thënë se ata që sot tentojnë të paraqiten si mbrojtës të studentëve janë pikërisht ata që për dy dekada nuk ndërmorën asnjë hap konkret për zgjidhjen e problemit.
Murtezi ngriti pyetje edhe ndaj figurave politike, analistëve dhe personaliteteve publike nga rajoni dhe diaspora, duke i akuzuar për heshtje selektive ndaj padrejtësive që shqiptarët kanë përjetuar ndër vite në Maqedoninë e Veriut.
“Ku ishin këta zëra kur shqiptarët quheshin ‘20%’, kur ndodhnin rastet Sopoti, Monstra, Alfa apo Lagjja e Trimave? Ku ishin kur shqiptarët diskriminoheshin në institucione, në gjuhë, në drejtësi dhe në shpërndarjen e buxhetit?”, pyet Murtezi në reagimin e tij.
Ai vlerëson se ndryshimi që ka sjellë VLEN nuk është vetëm politik, por mbi të gjitha psikologjik dhe shoqëror, pasi sipas tij, për herë të parë pas shumë vitesh studentët shqiptarë ndihen të lirë të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre pa frikë nga presioni politik.
Në reagimin e tij, Murtezi përmend edhe disa nga proceset që sipas tij janë ndërmarrë nga institucionet ku participon VLEN, si iniciativa për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, legalizimi i Medresesë, mundësimi i provimeve për edukatore në shqip dhe investimet në komunat shqiptare.
“Ndryshimi më i madh është se rinia shqiptare nuk po hesht më. Historia ndryshon kur studentët refuzojnë të jetojnë në gjunjë”, thekson Murtezi, duke bërë thirrje për një brez të ri të rinjsh dhe intelektualësh të lirë në mendim dhe të pavarur nga frika politike.



