Miliona euro për terminalë që nuk u përdorën kurrë, dëshmi e re në gjykimin për Lotarinë Shtetërore

Terminalët elektronikë të lojërave të fatit (VLT), të blerë nga Lotaria Shtetërore, nuk janë vënë asnjëherë në përdorim. Kjo është theksuar edhe gjatë seancës së fundit gjyqësore, ku ka dëshmuar një anëtar i komisionit.
Bëhet fjalë për një furnizim me vlerë mbi 501 milionë denarë, përkatësisht rreth 8,2 milionë euro, që është në qendër të hetimeve për dyshime mbi keqpërdorimin e mjeteve publike.
Sipas Prokurorisë, Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur këto lojëra elektronike të fatit, ndërsa terminalët e blerë nuk u aktivizuan asnjëherë.
Në këtë çështje përmenden edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Përgjegjësia eventuale penale mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.



