Gashi: Shtëpia e Alfabetit në Manastir është thesar me vlerë të veçantë historike për shqiptarët

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka marrë pjesë në përurimin e punimeve në Shtëpinë Muze të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir.
Gashi shprehu mirënjohje për institucionet e Shqipërisë për mbështetjen në restaurimin dhe mirëmbajtjen e kësaj shtëpie me rëndësi historike për shqiptarët, ndërsa bëri thirrje për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e ardhshëm.
“Më 22 Nëntor, të gjitha rrugët shpijnë në Manastir, në vendin ku, 118 vjet më parë, shkronjat shqipe u bënë simbol i një ëndrre të madhe kombëtare.
Së bashku me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Bekim Sali, pata nderin të marr pjesë në përurimin e punimeve në Shtëpinë Muze të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Shpreha mirënjohjen time për institucionet e Republikës së Shqipërisë për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë në restaurimin dhe mirëmbajtjen e kësaj shtëpie me vlerë të veçantë historike për kombin shqiptar.
Duke e pasur gjuhën strumbullar të identitetit tonë dhe urë të bashkimit, bëra thirrje që këtë thesar ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim brezave që vijnë pas nesh”, ka shkruar Afrim Gashi.



