Nga Manastiri, Kurti apel për bashkim: Dallimet nuk duhet të na përçajnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur në Manastir me rastin e shënimit të 118-vjetorit të Kongresit të Alfabetit, ka theksuar rëndësinë historike të këtij Kongresi dhe mesazhin e bashkimit që ai përcjell edhe sot.
Kurti ka vënë në pah se delegatët e Kongresit të Manastirit, megjithëse vinin nga bindje, besime dhe rryma të ndryshme, arritën të uleshin në një tryezë dhe të merrnin vendime në interes të gjuhës shqipe. Ai ka bërë thirrje që edhe shqiptarët sot të dinë të kapërcejnë dallimet dhe të arrijnë marrëveshje për qëllime të përbashkëta.
Në fjalimin e tij, Kurti ka folur edhe për sfidat e gjuhës shqipe në kohën e zhvillimit teknologjik, duke theksuar nevojën për pasurimin e saj me fjalë dhe shprehje të reja.
“Megjithëse kanë kaluar 118 vjet nga ajo kohë, pyetja e Kongresit të Manastirit mbetet e njëjtë: Si të vendosim bashkë kur nuk mendojmë bash njësoj?
Shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe kanë një diasporë që shtrihet nga Dallasi në Melburn. Ndahemi sipas partive, sipas krahinave, sipas brezave dhe sipas interesave. Këto dallime janë të natyrshme në çdo shoqëri të lirë. Mirëpo, rreziku nuk qëndron te dallimet, por te bindja se marrëveshja është dobësi dhe se kompromisi është një lloj tradhtie.
Atdhetarët e 1908-tës lanë një mësim të thjeshtë për ne, që ne do të duhej ta kishim ndërmend sa herë që duam ta arrijmë një synim bashkë me të tjerët. Marrëveshja nuk kërkon që të zhduken të gjitha dallimet, por kërkon që të vendosim mbi to diçka më të madhe se secili prej nesh veçmas. Për ta, natyrisht, kjo ishte Gjuha Shqipe, thelbi i qenies sonë kombëtare.
Është e ditur se ata në të shkuarën kishin më pak liri se ne dhe më shumë arsye për t’u përçarë. Megjithatë, u ulën në një tryezë dhe dolën me një vendim. Ia vlen ta pyesim veten nëse ne, megjithë lirinë që gëzojmë, kemi të drejtë të bëjmë më pak se ata.
Sot kemi sfida të paimagjinueshme më parë. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, përfshirë robotikën dhe inteligjencën artificiale, ka sjellë shumë fjalë, togfjalësha e fraza të reja në bisedat që bëjmë dhe në mendimet që i shkruajmë. Është detyrë e akademive dhe universiteteve tona, e ministrive të arsimit dhe instituteve të gjuhës që të bëjnë përkthime e shqipërime të duhura e të përshtatshme, përndryshe rrezikojmë që përherë e më shumë të ndërfuten në diskursin shoqëror e në diskutimin publik fjalët e huaja, por si citate, në kurriz e në llogari të shqipes sonë.
Shqiptarët ia kanë borxh këtë gjuhës së tyre, ngaqë ruajtja dhe mbrojtja më e mirë dhe më e suksesshme e gjuhës shqipe është pikërisht zgjerimi dhe përparimi i saj me fjalë e shprehje të reja për këto kohë të reja e kaq të shpejta të shekullit XXI.
Duke menduar a thua se çka do të mendonin Rilindasit tanë sot dhe duke qëndruar e duke punuar bashkë, sigurisht që do t’ia dalim.
E ardhmja jonë është e shkruar në gjuhën e bukur shqipe.
Lavdi atdhetarëve të Manastirit e gëzuar 118-vjetori i Kongresit!”, ka deklaruar Albin Kurti në Manastir.



