Siljanovska: Zvicra model demokracie dhe partner i rëndësishëm për vendin

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cilësoi vizitën e presidentit zviceran si historike, duke e vlerësuar mbështetjen e Zvicrës për vendin e saj, raporton Anadolu.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit kokë më kokë dhe ndërdelegacional me presidentin Guy Parmelin, Siljanovska-Davkova tha se është hera e parë që një president zviceran zhvillon vizitë zyrtare në vend dhe e përshkroi takimin si “një ditë historike për vendin”.

Siljanovska-Davkova tha se prania e presidentit zviceran në Shkup tregon rëndësinë që Zvicra i kushton Ballkanit Perëndimor dhe përbën shtysë për marrëdhëniet dypalëshe. Ajo vlerësoi Zvicrën si një model në aspektin e demokracisë, duke përmendur kulturën e saj politike pjesëmarrëse, vetëqeverisjen lokale dhe demokracinë e drejtpërdrejtë.

Presidentja theksoi se Zvicra është shembull i një shteti federal shumëgjuhësh ku dallimet tejkalohen përmes dijes, kapaciteteve qytetare dhe funksionimit institucional.

Duke folur për bashkëpunimin, Siljanovska-Davkova tha: “Konstatuam se po bëjmë përparim në dialog, sepse do të thoshim se ai bazohet në respekt dhe synojmë të vazhdojmë në të njëjtën frymë, veçanërisht brenda OSBE-së, sepse në këto kohë të vështira, siç e dini, Zvicra ka marrë drejtimin në OSBE, por edhe në Kombet e Bashkuara si dhe në Këshillin e Evropës”.

Siljanovska-Davkova tha se Zvicra është një nga donatorët më të mëdhenj të vendit, me mbështetje të vazhdueshme për tre dekada në fusha si qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit. Ajo veçoi mbështetjen për Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, përmes programeve që synojnë përmirësimin e procesit legjislativ, forcimin e funksionit mbikëqyrës dhe rritjen e transparencës.

Presidentja gjithashtu përmendi programin 2025–2028 dhe mbështetjen zvicerane për reformat e lidhura me integrimin evropian. Në fund, ajo tha se prioritet mbetet bashkëpunimi në arsim, shkencë, kulturë dhe sport si dhe procesi i integrimit evropian i vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button