Një kolon izraelit arrestohet me dyshimin për sulm ndaj një murgeshe në Kudsin Lindor

Policia izraelite njoftoi se ka arrestuar një kolon 36-vjeçar nën dyshimin për sulm ndaj një murgeshe në Kudsin Lindor të pushtuar, akt i cilësuar si “i motivuar nga urrejtja racore”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, policia tha se të martën kishte marrë një denoncim për një sulm ndaj një murgeshe në Kudsin Lindor. “Pas një kërkimi të gjerë, i dyshuari 36-vjeç u lokalizua dhe u arrestua nga oficerët e policisë”, thuhet në deklaratë.

Policia tha se i dyshuari është dërguar për hetim nën dyshimin për sulm të motivuar nga urrejtja racore. Autoritetet pritet t’i kërkojnë më vonë gjykatës në Kuds zgjatjen e paraburgimit të tij.

Një fotografi e publikuar nga policia tregonte murgeshën me lëndime në kokë. Portali i lajmeve “The Times of Israel” raportoi se murgesha punon në Shkollën Biblike dhe Arkeologjike Franceze, pa dhënë detaje të mëtejshme për identitetin ose kombësinë e saj.

Qindra klerikë dhe murgesha nga e gjithë bota shërbejnë në kisha dhe institucione fetare në Kudsin Lindor. Vitet e fundit është vërejtur një rritje e dukshme e sulmeve nga izraelitët ndaj klerikëve të krishterë dhe muslimanë si dhe ndaj objekteve fetare në qytetin e pushtuar.

Kishat në Kudsin Lindor kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur ndaj autoriteteve izraelite që të ndërmarrin veprime të vendosura për të ndaluar sulme të tilla. Rreth 750 mijë kolonë izraelitë jetojnë në qindra vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë rreth 250 mijë në Kudsin Lindor dhe kryejnë sulme të përditshme ndaj palestinezëve, sipas burimeve palestineze.

Që nga tetori 2023, sulmet nga forcat izraelite dhe kolonët në Bregun Perëndimor kanë vrarë më shumë se 1.100 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 12 mijë të tjerë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button