Zekolli Shaqiri: Aeroporti i Shkupit pajiset me skenerin e parë tomografik në Ballkan

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit është vënë në funksion sistemi i ri tomografik për kontrollin e sigurisë së bagazhit të dorës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve aeroportuale.
Sipas saj, sistemi i ri u inaugurua së bashku me drejtorin e përgjithshëm të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, ndërsa bëhet fjalë për skenerin e parë të këtij lloji të instaluar në një aeroport në Ballkan.
“Sot, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, shënuam një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimeve aeroportuale, me vendosjen në përdorim të sistemit të ri tomografik për kontrollin e sigurisë së bagazhit të dorës”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Ajo theksoi se investimi prej një milion eurosh sjell teknologjinë më të avancuar për kontrollin e bagazheve, duke mundësuar zbulimin e pajisjeve dhe materialeve pa qenë e nevojshme hapja e valixheve, gjë që rrit sigurinë dhe përshpejton lëvizjen e udhëtarëve.
Duke folur për zhvillimin e transportit ajror, Zekolli Shaqiri nënvizoi se modernizimi i aeroporteve dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve kanë sjellë rezultate konkrete.
“Në dy vitet e fundit janë hapur 28 destinacione të reja ajrore, ndërsa këtë vit presim që numri i pasagjerëve të arrijë mbi 3,5 milionë”, u shpreh ajo.
Në fund, zëvendësministrja theksoi se bashkëpunimi me TAV Maqedoni dhe investimet në infrastrukturën aeroportuale do të vazhdojnë.
“Përmes bashkëpunimit me TAV Maqedoni dhe investimeve në infrastrukturë, po krijojmë kushte më të mira për udhëtarët, më shumë mundësi lidhjeje për qytetarët dhe një sistem ajror më konkurrues. Vazhdojmë të punojmë që Maqedonia e Veriut të forcojë pozitën e saj si qendër rajonale ajrore, me lidhje më të mira me Evropën dhe botën”, deklaroi Zekolli Shaqiri.

