Washington Post: Inteligjenca amerikane paralajmëron se Izraeli mund të minojë marrëveshjen e paqes me Iranin

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar administratën Trump se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka gjasa të ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë përpjekjet e presidentit Donald Trump për të siguruar një marrëveshje paqeje afatgjatë me Iranin, thuhet në një lajm të publikuar të premten, transmeton Anadolu.

Duke cituar zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë të njohur me vlerësimet e inteligjencës, Washington Post raportoi se Izraeli duket i vendosur të vazhdojë operacionet ushtarake kundër Hezbollahut në Liban, pavarësisht dispozitave të memorandumit të mirëkuptimit SHBA–Iran të nënshkruar së fundmi, i cili kërkon përfundimin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Edhe pa përshkallëzim të mëtejshëm, refuzimi i Izraelit për të tërhequr trupat nga jugu i Libanit ka gjasa të shkatërrojë marrëveshjen e brishtë, ka thënë një zyrtar amerikan për Washington Post.

“Vazhdimi i pushtimit të një pjese të Libanit është recetë për katastrofë”, ka thënë zyrtari. “Pa një tërheqje të plotë izraelite, gjasat për rifillim të armiqësive midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut janë pothuajse të sigurta”, citohet të ketë theksuar ai.

Nënpresidenti JD Vance paralajmëroi të enjten Izraelin që të mos e largojë nga vetja “aleatin e tij të vetëm të fuqishëm”, duke thënë se Trump “është lideri i vetëm në botë që është i ndjeshëm ndaj Izraelit në këtë moment”.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan konfirmoi për Anadolu se Izraeli dhe Hezbollahu kanë rënë dakord për një armëpushim që do të hynte në fuqi në orën 16:00 sipas kohës lokale të premten.

Më herët të premten, të paktën 31 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një seri sulmesh izraelite në jug dhe lindje të Libanit, sipas Agjencisë Zyrtare të Lajmeve të Libanit (NNA).

Sipas shifrave zyrtare më të fundit, ofensiva ushtarake e Izraelit në Liban, e cila filloi më 2 mars, ka vrarë 3.912 persona, ka plagosur 11.873 të tjerë dhe ka zhvendosur më shumë se një milion banorë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button