Walker: Pas përfundimit të misionit në Kosovë, askush s’më pyeti se çfarë kishte ndodhur

William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e përshkroi masakrën e Reçakut si një moment kyç që solli reagimin ndërkombëtar, veçanërisht për shkak të dështimeve të mëparshme në Bosnje. Sipas tij, Serbia tentoi ta paraqiste masakrën si betejë ushtarake, por gabimet e Milosheviqit e mbajtën çështjen në qendër të vëmendjes. Walker theksoi se deklarata e tij për krime kundër njerëzimit ishte e bazuar në atë që pa në vendngjarje dhe jo në diplomaci të zbutur. Tutje, ai bëri të ditur se pasi përfundoi misionin, askush nga OSBE-ja apo Departamenti i Shtetit nuk e kishte pyetur se çfarë ka ndodhur realisht në Kosovë.
Ish-shefi i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker ka dhënë perspektivën e tij lidhur me jehonën që mori masakra e Reçakut dhe reagimet që i prodhoi.
Gjatë një diskutimi të organizuar të shtunën lidhur me librin e Walkerit “Reçak: historia e një krimi lufte”, ish-diplomati tha se reagimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndalur gjenocidin në Kosovë e kishin shtyrë edhe luftërat e tjera që ndodhën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
“Së pari ka qenë efekti i asaj qe kishte ndodhur në Bosnje, më herët ku komuniteti ndërkombëtar kishte qëndruar duarkryq kur kishte shpërthyer dhuna në Srebrenicë dhe pjesë të tjera të Bosnje Hercegovinës”, ka thënë Walker.
Sipas ambasadorit Walker, vëmendja që mori Reçaku ishte edhe për shkak se në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Gjermani qeveritë kishin probleme dhe ishin nën presion lidhur me politika të brendshme të këtyre vendeve dhe masakra e Reçakut i shërbeu për ta çuar vëmendjen diku tjetër.
“Normalisht, një ngjarje e tillë do të harrohej me kohën. Do të zbehej ndërsa ndodhnin masakra të tjera këtu dhe gjetkë në botë. Por ndodhën disa gjëra në atë kohë. Dhe i përmend në libër, ndoshta disa prej tyre nuk lidhen drejtpërdrejt me atë që ndodhi, por liderët e grupit të kontaktit, liderët e vendeve të mëdha që ishin të përfshirë dhe të shqetësuar për atë që po ndodhte në Kosovë, secili prej tyre kishte arsye për të larguar vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme”, u shpreh ish-shefi OSBE-së.
Walker tha se edhe tentimet e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq për ta zbehur vëmendjen në atë çfarë kishte ndodhur në Reçak, patën efekt të kundërt.
“Pastaj presidenti Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij në Beograd, në përpjekje për të shpjeguar atë që ndodhi në Reçak, e paraqitën si një betejë ushtarake mes UÇK-së dhe forcave serbe. Pastaj, filluan të mohonin gjithçka, duke pretenduar se unë dhe të tjerët kishim ndërruar rrobat e trupave të vrarë, kishim ndryshuar provat, etj. Çdo ditë, ai merrte vendime që e rikthenin këtë çështje në faqet e para të mediave ndërkombëtare. Siç them, ai bëri gabime taktike që e mbajtën këtë çështje në qendër të vëmendjes çdo ditë”, ka deklaruar Walker
Ai kujtoi bisedën me asokohe sekretaren amerikane të Shtetit, Madeline Albright, e cila i kishte premtuar edhe misione të tjera, diçka që sipas Walkerit, nuk ndodhi. Ai madje tregon se pasi përfundoi misionin, askush as në OSBE e as në SHBA nuk e kishte pyetur se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
“Sa i përket detyrës të misionit verifikues të Kosovës detyra na ishte dhënë qartë që ta bëjmë punën me ndershmëri dhe sinqeritet. Ajo (Madeline Albright) me tha ‘Zotëri Walker mendojmë që në Kroaci keni bërë punë të mirë, personalisht mendoj që ke bëre punë të shkëlqyeshme në Kosovë dhe mos të kesh merak do të kesh detyra të tjera jo në Amerikë Qendrore, jo në Afrikë Jugore, por do të kesh misione të tjera’. Por, kjo nuk ndodhi. Gjashtë muaj më vonë mua më erdhi koha e pensionimit dhe u pensioneve. Kur përfundova misionin në Kosovë shkova në Vjen, shkova në zyrat e OSBE-së, shkova në Uashington dhe asnjëherë, asnjë anëtarë i OSBE-së, i selisë kryesore, asnjëherë të vetme, askush në Departamentin e Shtetit Amerikan, në asnjë nivel nuk më pyeti asgjë lidhur me misionin tim në Kosovë. Nëse unë ndihesha se kisha bërë punë të mirë apo jo. Ishte shumë e çuditshme”, tregoi ai.
Ish-diplomati amerikan është figurë e nderuar në Kosovë. Ka pranuar një mori dekoratash nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Presidentja Vjosa Osmani e ka nderuar me medaljen “Urdhri i Lirisë”, ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me medaljen “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit”. /koha.net/