Sekti sekret i krishterë që detyroi nënat të hiqnin dorë nga foshnjat e tyre

Gratë të cilat kanë qenë anëtare të një sekti kishtar të fshehtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar për BBC se ishin detyruar nga kisha të dhuronin foshnjat e tyre për adoptim.

Qindra adoptime mund të kenë ndodhur në mes të viteve 1950 deri viteve 1990, kanë deklaruar ish-anëtaret.

Disa nga fëmijët që ishin adoptuar brenda sektit kanë treguar se ata janë abuzuar dhe neglizhuar nga familjet adoptuese.

Pretendimet kanë ardhur pas një hulumtimi të BBC-së vitin e kaluar mbi akuzat për abuzim seksual të fëmijëve për dekada me radhë brenda sektit, i cili besohet se ka deri në 100,000 anëtarë në të gjithë botën dhe njihet edhe me emrin “The Truth” (E Vërteta) ose the “Two by Tows” (Dy nga Dy). Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA ka filluar hetimet.

Katër gra, të cilat ishin të pamartuara atëherë, kanë treguar se ato nuk kishin opsion tjetër pos se t’i jepnin foshnjat e tyre. Tre prej tyre frikësoheshin mos po dëboheshin nga kisha dhe të dërgoheshin në ferr nëse refuzonin.

Njëra prej tyre pasi ishte përdhunuar në vitin 1988 në moshën 17-vjeçare ishte shtyrë t’ia jepte foshnjën e saj një çifti të martuar në kishë.

“Frika se mund të shkoja në ferr ishte aq e madhe sa më detyroi të ndaj mendjen dhe t’ia japë foshnjën time atij çifti”, ka deklaruar ajo për BBC.

Një tjetër ka deklaruar se ajo nuk ishte lejuar ta shihte vajzën e saj para se t’ia marrin përgjithmonë.

Gjashtë persona të tjerë që janë dhënë për adoptim si foshnje në mes viteve 1960 dhe 1980 kanë dhënë dëshmitë e tyre. Një grua prej tyre ka deklaruar se ajo ishte abuzuar fizikisht dhe emocionalisht në familjen e parë adoptuese brenda sektit, dhe abuzuar seksualisht në familjen e dytë.

Fëmijët e adoptuar, të lindur anekënd SHBA-së, njihen brenda sektit si “foshnjat Baldwin” sepse adoptimet janë mbikëqyrur nga Wally Baldwin, mjek brenda sektit i cili ka vdekur në vitin 2004.

Disa gra qëndronin te shtëpia e tij në Oregon gjatë shtatzënisë, ka thënë një zëdhënës që punonte me Baldwinin.

Numri i saktë i “foshnjave Baldwin” nuk dihet. BBC ka folur me djalin e adoptuar të mjekut, Gary Baldwin, i cili ka thënë se të dhënat origjinale nuk janë më, por ai beson se numri është “më pak se 200”.

Ai deklaroi se “padyshim” ishin bërë gabime nga sistemi i vlerësimit nga babai, por që qëllimet e tij ishin të mira. Të tjerë kanë deklaruar po ashtu se e mbajnë mend Baldwinin me shumë dashamirësi.

Pasi sekti nuk ka lider zyrtar, BBC ka kontaktuar gjashtë nga zyrtarët më të lartë të sektit, të njohur si “mbikëqyrësit”, për të komentuar. Ata morën vetëm një përgjigje. Mbikëqyrësi ka deklaruar se çdo adoptim për të cilin ai ka dijeni ka ndodhur përmes “kanaleve ligjore” dhe ai kishte “dëgjuar disa histori të bukura”.

Një grua që ishte adoptuar ka dëshmuar se i kujtohet të ketë parë qindra foto të fëmijëve të adoptuar që Baldwini i kishte organizuar brenda sektit.

Një burrë tjetër ka treguar se ai ka arritur të ketë kontakte me më shumë se 100 foshnje dhe nëna Baldwin.

Kisha e themeluar në Irlandë nga një evangjelist skocez në vitin 1897, është ndërtuar me mbikëqyrës – për të shpërndarë mësimet e Testamentit të Ri përmes fjalëve.

Shumica e nënave që kanë folur për BBC-në besojnë se mbikëqyrësit dhe kisha si institucion duhet të mbajnë përgjegjësi për traumat e shkaktuara nga adoptimet.

“Nëse e mbaj këtë foshnje do të shkoj në ferr”

“Dikur kisha doli jashtë shinave dhe u bë kult i bazuar në frikë dhe unë isha e detyruar të bëjë një zgjidhje”, ka deklaruar Melanie Williams, 62-vjeçe, e cila dha foshnjën e vet për adoptim në janar të 1981-tës.

Kur ishte 18-vjeçe, Melanie kishte mbetur shtatzëne pasi kishte rënë “çmendurisht në dashuri” me një djalë nga shkolla e saj.

Çifti jo që nuk ishin të martuar, por babai nuk ishte anëtar i sektit “The Truth” dhe refuzoi të anëtarësohej. Kjo nënkuptoi se Melanie kishte bërë “një mëkat të tmerrshëm” në sytë e mbikëqyrësve lokalë.

Mbikëqyrësit i kishin thënë se për të vazhduar anëtarësimin në sekt ajo duhej t’ia jepte fëmijën e saj një familjeje brenda sektit.

“Nëse e mbaj këtë foshnje, do të shkoj në ferr. Nëse mbaj këtë foshnje, nuk mund të shkoj në shtëpi”, ka treguar nga kujtimet e saj Melanie.

Ajo lindi në një spital katolik në Oklahoma, ku ajo ishte vendosur në një dhomë të veçantë në mënyrë të fshehur.

Ajo kujton se mjeku e kishte qortuar kur ajo kishte filluar të qajë gjatë lindjes.

Foshnja e Melanies ishte larguar nga e ëma para se të lëshonte zë dhe ajo nuk e dinte nëse kishte lindur vajzë apo djalë. Ajo as nuk e dinte nëse fëmija i saj ishte gjallë.

Kur e kuptoi se fëmija e saj ishte gjallë, ajo i kishte thënë një infermiereje se ishte duke menduar nëse duhet ta jepte fëmijën për adoptim dhe se donte ta mbante në krah foshnjën.

“Asnjëherë nuk do do ta mbash në krahë foshnjën tënde”, ishte përgjigja ndaj saj.

Vite më vonë Melanie arriti ta gjejë vajzën e saj, por vajza nuk deshi ta takonte.

Deb Adadjo, 54-vjeçe, po ashtu ishte e pasigurt për dhënien për adoptim të foshnjës së saj, por u përball me shumë presion nga mbikëqyrësit, që e kërcënuan me dëbim nga takimet e kishës, që brenda sektit nënkuptonte jo vetëm largimin nga kisha por edhe përfundimin në ferr. Ajo mbeti shtatzëne pasi ishte përdhunuar në vitin 1988.

Duke kujtuar momentin kur e ka mbajtur foshnjën e sapolindur në krah ajo thotë: “Akoma mund ta ndjej atë në gjoksin tim”.

“Në momentin e fundit bashkë, më kujtohet që e kam përkëdhelur dhe i kam thënë se e dua dhe që më vjen keq, disa herë” ka shtuar ajo.

“Është dashur ta lërë të shkoj, nuk kisha opsione të tjera”.

Deb më vonë ka takuar vajzën e saj, por tani nuk kanë kontakt.

Sherlene Eicher, 63-vjeçe nga Iowa, ka deklaruar se ajo kurrë nuk ka ndaluar së menduari për vajzën e saj. Ajo mendon se prindërit e saj i kanë bërë presion për ta dhënë vajzën për adoptim në vitin 1982. Për një moment të shkurtër ajo e ka mbajtur dhe ushqyer atë para se të ndaheshin. Sherlene mbante një festë të vogël ditëlindjeje për vajzën e saj çdo vit.

“Kur ishte ditëlindja e saj i blija kartolina ditëlindjesh dhe disa herë i kam bërë edhe tortë”, ka deklaruar ajo.

“Gjithashtu shkruaja shumë – duke menduar ku ishte ajo, si ishte, çfarë po kalonte në moshën që ishte”, ka shtuar ajo.

Pastaj në vitin 2004, Sherlene ka kontaktuar vajzën e saj përmes emailit dhe u takuan, e tani ato janë të afërta në mes vete.

“Kur më në fund u takuam, ne vetëm u përqafuam, përqafuam dhe përqafuam”, tha Sherlene.

“Ne flasim për 2-3 orë në telefon, ajo është një grua e jashtëzakonshme”.

Foshnjat e adoptuara pre e abuzimit

Të intervistuarit kanë deklaruar se sistemi i adoptimit nuk ka pasur sistem të mirë vlerësimi, duke mos llogaritur potencialin se mund të kishte situata abuzimi. Kur fëmija ishte gati për të lindur, mjeku Baldwin kontaktonte mbikëqyrësit për rekomandime, dhe ata do t’i rekomandonin familje brenda sektit për të adoptuar fëmijën.

Prej gjashtë “foshnjave Baldwin” që janë intervistuar nga BBC-ja, dy kanë përjetuar abuzime seksuale, fizike dhe emocionale në familjet e adoptuara, deri sa njëra ka deklaruar se ajo kishte përjetuar abuzim emocional nga babai adoptues.

Një grua tjetër ka treguar se ajo ishte larguar nga familja e parë adoptuese nga shërbimet sociale si pasojë e abuzimeve ekstreme fizike dhe pastaj ishte vendosur në familjen e një personi të lartë të kishës, që mbante takime në shtëpinë e tij. Ajo tregoi se çifti kishte filluar të abuzonte seksualisht me të brenda javësh, kur ajo ishte 15-vjeçe.

Një tjetër grua ka treguar se ajo abuzohej fizikisht çdo ditë nga prindërit adoptues dhe ishte abuzuar seksualisht nga xhaxhai në familjen e adoptuar kur ishte 5-vjeçe.

Që kur raportimet për abuzime të shumta seksuale kanë filluar të shpërndahen brenda kishës dy vjet më parë, ish-anëtarë dhe anëtarë të tanishëm kanë filluar të lidhen në grupe të Facebookut, duke përfshirë nënat dhe “foshnjat Baldwin”.

“Nënat – e di si ndjehen dhe kam shumë empati për to. Qaj për ndodhitë e tyre kur ato i shkruajnë. Por për vete, kam qarë me të gjithë lotët që kam mundur”, ka deklaruar Deb.

“Ishte sikur kam gjetur fisin tim, nuk jam më vetëm”, ka deklaruar Melanie.

“Nënat tona kishin frikë të na përqafonin, baballarët tanë ishin të turpëruar nga ne, dhe kisha na pranonte vetëm nëse bënim sakrificën më të madhe”.

“Dhe pas gjithë atyre viteve, ne të gjitha do të jemi mirë”. /koha.net/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button