‘Rama jepe dorëheqjen!’ Protestat nuk ndalen, nesër edhe më shumë para kryeministrisë
Me thirrjet ‘Nesër më shumë!’, ‘Rama jepe dorëheqjen’ protestuesit kanë mbyllur protestën e sotme, para kryeministrisë e cila zgjati për 4 orë. Më pas turma u drejtua drejt sheshit ‘Skënderbej’ .
Me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë socialiste, qytetarët qëndruan për 4 orë, në ditën e shtatë me radhë të protestës së tyre. Përvec Tiranës, protesta janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, si në Korçë dhe në Shkodër.
Në Tiranë qytetarët e nisën protestën në orën 18:00 me marshimin e tyre si zakonisht nga sheshi Skënderbej dhe më pas u vendosën para godinës së kryeministrisë ku dhe folës të ndryshëm mbajtën fjalimet duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë socialiste.
Protesta sot ishte tek keqqeverisja e cila ka shkatërruar arsimin dhe shëndetësinë, ndërsa vendi po shpopullohet.
‘Shqipëri e re’ e ‘Revolucion’ ishin thirrjet e reja që u bënë në kor nga mijëra pjesëmarrës që kishin mbushur sheshin para kryeministrisë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’
Studentët ngritën zërin për koston e jetesës të papërballueshme, për mungesën e kushteve, infrastrukturës, ndërsa pas diplomimit nuk shohin asnjë të ardhme.
“Praktikat profesionale janë, jo vetëm formalitete… janë formalitete ose punë pa pagesë. Ndërsa ne kemi nevojë për mundësi reale. Edhe pas diplomimit, na pret papunësia ose paga që nuk të lejon të jetosh me dinjitet’ tha një studente.
Një qytetar i cili prej 3 vitesh lufton me kancerin e krahasoi Onkologjikun me Aushvicin, ku njerëz vdesin përditë.
“Jo larg nesh, 2–3 km larg, është një krematorium i ndërtuar nga kjo qeveri. Atje është një Aushvic? Është turpi i kësaj godine, i këtij vendi, i 35 viteve. Ai është turpi i kësaj godine. Në Onkologjik vdesin njerëz për ditë, aty varrosen njerëz për ditë’ tha një protestues.
Në protestë nuk munguan pankartat pikante nga : Rama pi verë 25 mijë euro, populli mendohet me çfarë ta skuq vezën’ apo ‘Na përzure ndër vite, sot të përzejmë ne ty”.
As sot nuk munguan fëmijët të cilët bashkë me prindërit kanëd dalë për të protestuar kundër kësaj qeverie. Madje iu përgjigjën me ironi dhe propagandës së Ramës i cili thotë se protestat janë të nxitura nga Irani.
“Unë jam Dardani, dhe kjo është motra ime Arbnesha, e ne jemi agjentë nga Irani. Kemi ardhur këtu për ti sjellë Edi Ramës, plehrat e mbledhur në Zvërnec, meqë qeveria nuk i mblodhi. ‘, u shprehën motër e vëlla.
E duket se protesta qytetare e ka nxjerrë Edi Ramën ka dalë nga shinat. Me një reagim të gjatë në rrjetin social ‘X’, të cilin e ka ndarë në dy pjesë, Edi Rama vendosi të sulmojë mediet ndërkombëtare, se pse kanë bërë lajme për protestën në Shqipëri.
Rreth orës 22:00 u njoftua mbyllja e protestës duke u bërë thirrje dhe atyre qytetarëve që nuk iu bashkuan sot.
“Çohuni nga kafja!” Nesër të mblidhemi më shumë. Bashkohuni me ne!
Pasi lanë pas godinën e Kryeministrisë turma e madhe e protestuesve u ndal edhe përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Protestuesit kanë shpërthyer njëzëri në kor me thirrje të forta, duke kërkuar arrestimin e ish zv/ministres Belinda Balluku e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion e pastrim parash.
Më pas turma vijoi marshimin nëpër rrugët e Tiranës duke thirrur në kor dorëheqjen e Ramës dhe duke u kërkuar qytetarëve që tu bashkohen në kauzën e tyre për një ‘Shqipëri të re’
Protesta dhe në qytete
Protesta sot janë mbajtur edhe në qytete të tjera të vendit si në Shkodër, Korçë dhe Elbasan.
“Shkodranët nuk i rrisin fëmijët me eksperimentet tuaja’, shkruhej në njërën prej parullave të mëdha në duart e qytetarëve. Pankarta lidhet me trajtimin hormonal për transgjinorët që qeveria ka vendosur të bëjë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.
Në Elbasan dhe Korçë qytetarët marshuan në rrugët e qytetit duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Edhe diaspora në protestë
Ndërkohë vala e indinjatës qytetare kundër qeverisë Rama sot kapërceu edhe kufijtë e Shqipërisë, duke u shndërruar në një lëvizje ndërkombëtare. Diaspora protestoi në sheshet kryesore apo para ambasadave shqiptare në Firence, Milano, Londrën, Berlin, Oslo, Vjenë, Washigton DC. Shqiptarët kanë protestuar me thirrje kundër qeverisë, keqqeverisjes e korrupsiot.



