Pa përparim takimi i radhës i Komisionit Historik, Maqedoni e Veriut–Bullgari

Takimi i radhës i Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i mbajtur në Shkup, ka përfunduar pa rezultate konkrete, njoftuan përfaqësuesit e palës bullgare.
Sipas tyre, anëtarët nga Maqedonia e Veriut kanë refuzuar të miratojnë një tekst rekomandimi për paraqitjen e Kryepeshkopatës së Ohrit në tekstet shkollore për klasën e shtatë, i cili ishte harmonizuar në parim që në qershor të vitit 2024.
Gjatë ditës së dytë të takimit, përfaqësuesit bullgarë i informuan kolegët e tyre për pjesën e raportit të fundit të Parlamentit Evropian që lidhet drejtpërdrejt me punën e komisionit. Në raport, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) inkurajon fuqishëm komisionin që të arrijë rezultate të qarta dhe të prekshme, bazuar në fakte historike të dokumentuara dhe burime autentike.
Takimi i ardhshëm i Komisionit Historik është planifikuar të mbahet në shtator në Sofje.
Komisioni i Përbashkët Historik u krijua në bazë të Marrëveshjes për Miqësi dhe Fqinjësi të Mirë, të nënshkruar më 1 gusht 2017 ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Deri më tani, ai ka miratuar rekomandime për përkujtimin e përbashkët të disa figurave historike, përfshirë Shën Kirilin dhe Metodin, Shën Naumin, Shën Klementin e Ohrit dhe Car Samuilin, si dhe rekomandime për ndryshime në tekstet shkollore të historisë në të dy vendet. përcjell Zhurnal.mk .



