Ushtarëve të Koresë së Veriut të kapur në Ukrainë u ishte thënë se po dërgoheshin në stërvitje

Ushtarët e Koresë së Veriut, të kapur në Ukrainë, thanë se para se të niseshin për në Rusi vitin e kaluar, atyre u ishte thënë se po dërgoheshin për stërvitje jashtë vendit, transmeton Anadolu.
Gazeta koreano-jugore “Chosunilbo” intervistoi dy ushtarët e Koresë së Veriut në Ukrainë, të cilët u kapën muajin e kaluar nga forcat ukrainase.
Ushtarët zbuluan se ishin të lidhur me Byronë e Përgjithshme të Zbulimit, agjencia e inteligjencës që menaxhon operacionet klandestine të Koresë së Veriut.
Një ushtar i Koresë së Veriut, Ri, tha se i kishin thënë se po dërgohej “jashtë vendit për stërvitje” kur u largua nga qyteti më 10 tetor të vitit të kaluar.
Ri shtoi se tani dëshiron të shkojë në Korenë e Jugut.
Deri më tani, të dy ushtarët mbahen në izolim pasi u kapën më 9 janar.
Muajin e kaluar, Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut pretendoi se të paktën 300 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë dhe 2.700 u plagosën në luftimet me Ukrainën.
Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy pretendoi se ushtarët e Koresë së Veriut “po ikin” nga vija e frontit në rajonin kufitar të Rusisë, Kursk, ku Kievi filloi një inkursion disa muaj më parë.
Në tetor të vitit të kaluar, Pentagoni tha se Koreja e Veriut dërgoi rreth 10.000 trupa në Rusinë lindore, Megjithatë, Pheniani ka heshtur edhe pas raportimeve për vdekje dhe lëndime të supozuara në mesin e trupave të tij në Rusi.