Ulet numri i kontrolleve në Gostivar, dje ndihmë mjekësore kërkuan 36 persona

Ministria e Shëndetësisë njofton se gjendja epidemiologjike në Gostivar po përmirësohet dukshëm, me një rënie të vazhdueshme të numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Gjatë ditës së djeshme, në Spitalin e Përgjithshëm dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë kryer gjithsej 36 kontrolle mjekësore, që janë 37 më pak krahasuar me një ditë më parë, kur ishin regjistruar 73 kontrolle.
Aktualisht, në spital janë të shtruar katër pacientë.
Që nga fillimi i monitorimit, në të dy institucionet shëndetësore janë kryer gjithsej 4.483 kontrolle të para. Institucioneve kompetente u janë dorëzuar 1.014 njoftime zyrtare për sëmundje ngjitëse, ndërsa janë përpunuar 706 anketa të reja epidemiologjike, duke arritur një mbulim prej 70 për qind.
Institucionet kompetente shëndetësore vazhdojnë me mbikëqyrje të shtuar epidemiologjike, grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave, intervistimin e pacientëve dhe zbatimin e koordinuar të të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e popullsisë.
“Ulja e numrit të kontrolleve është një tregues inkurajues, por situata vazhdon të monitorohet me kujdes”, theksojnë autoritetet kompetente.



