Shasivari takohet me Sveçlën në Budva, fokus te siguria dhe lufta kundër krimit

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka zhvilluar takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet në Budva.
Në takim, Shasivari dhe Sveçla kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve, me fokus në koordinimin e institucioneve, shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona ka rëndësi të veçantë për garantimin e sigurisë, sundimin e ligjit dhe stabilitetin rajonal. Koordinimi institucional dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar Shasivari.
Ai ka vlerësuar se Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndajnë orientimin drejt integrimit evropian dhe përgjegjësinë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.



