Trumpi i pakënaqur me propozimin e Iranit për Ngushticën e Hormuzit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është i pakënaqur me propozimin e Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Trump u informua mbi planin e Teheranit, i cili përfshin gjithashtu përfundimin e bllokadës së SHBA-së në rrugën ujore kritike, gjatë një takimi në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë të hënën, raportoi “The New York Times”, duke cituar burime anonime të informuara mbi diskutimin.
Propozimi nuk prek se çfarë duhet bërë me programin bërthamor të Iranit, thanë për gazetën zyrtarë të shumtë amerikanë dhe iranianë. Irani më parë ka hedhur poshtë kërkesat e SHBA-së që të ndalojë të gjithë pasurimin e uraniumit, duke pohuar se ka të drejtë sipas ligjit ndërkombëtar për ta bërë këtë, dhe deri më tani ka refuzuar të dorëzojë uraniumin që tashmë e ka pasuruar.
Nuk është e qartë se me çfarë saktësisht Trumpi ka qenë i pakënaqur, por ai ka këmbëngulur prej kohësh në të dyja kërkesat bërthamore. Një zyrtar anonim amerikan tha se pranimi i tij do t’ia mohonte publikisht Trumpit një fitore.
“SHBA-ja nuk do të negociojë përmes mediave. Ne kemi qenë të qartë për vijat tona të kuqe dhe presidenti do të bëjë vetëm marrëveshje që është e mirë për popullin amerikan dhe botën”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, për “The New York Times”.
Portali i lajmeve “Axios” raportoi për herë të parë për propozimin të dielën, menjëherë pasi tha se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ua dorëzoi propozimin ndërmjetësve pakistanezë. Sipas propozimit, një armëpushim do të zgjatej për një periudhë të gjatë ose do të bëhej i përhershëm ndërsa bisedimet bërthamore do të fillonin vetëm pasi të rihapet ngushtica dhe të hiqen kufizimet.
Javën e kaluar Trumpi hodhi poshtë një propozim tjetër nga Irani dhe anuloi papritur negociatat në Pakistan që do të mbaheshin në Islamabad gjatë fundjavës. Zyrtarët amerikanë i thanë “The New York Times” se Irani nuk i autorizoi negociatorët të bënin ndonjë lëshim lidhur me programin e tij bërthamor, duke i dhënë një goditje të madhe bisedimeve të paqes.
Debati në administratën e Trumpit tani sillet rreth asaj se sa dhimbje ekonomike mund të përballojë Irani mes bllokadës së vazhdueshme të Ngushticës së Hormuzit nga SHBA-ja dhe efekteve që ka në ekonominë iraniane.
Prodhimi i naftës po e tejkalon me shpejtësi kapacitetin e magazinimit dhe puset nuk mund të mbyllen. Dëme të konsiderueshme do të shkaktoheshin nëse ato mbyllen dhe disa figura brenda administratës argumentojnë se Irani do të bënte marrëveshje në vend që të përballonte kostot, raportoi gazeta.
Megjithatë, të tjerë besojnë se lidershipi i Iranit është forcuar vetëm pas vendimit të Trump për t’u bashkuar me Izraelin në sulmin ndaj vendit.



