Trump arriti në 295 vota elektorale, duke e marrë edhe Alaskan
Republikani Donald Trump i cili fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, fitoi edhe në shtetin e Alaskës, ku përfundoi numërimi i votave, duke arritur në 295 delegatë, ndërsa demokratja Kamala Harris ka 226 delegatë me votat nga shteti i Maine, raporton Anadolu.
Janë shpallur rezultatet në shtetet e Alaskës dhe Maine, ku ka përfunduar numërimi i votave për zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 5 nëntor në SHBA, ku fitues doli Donald Trump.
Trump, i cili më parë kishte shpallur fitore në zgjedhjet duke kaluar pragun prej 270 delegatë, fitoi gjithashtu Alaskën dhe arriti në 295 delegatë në total, duke përfshirë 3 delegatët nga ky shtet.
Nga ana tjetër, Harris, pas përfundimit të numërimit të votave në shtetin Maine, fitoi edhe dy delegatë duke arritur në gjithsej 226 delegatë.
Meqenëse rezultatet e zgjedhjeve dhe fituesi është përcaktuar, rezultatet e mbetura të Nevada-s dhe Arizona-s nuk kanë asnjë vlerë përtej kuptimit simbolik. Rezultatet në këto dy shtete pritet të shpallen së shpejti.
– Vazhdon numërimi i votave në zgjedhjet e Dhomës së Përfaqësuesve
Nga ana tjetër, Republikanët, të cilët arritën në 52 ulëse në Senat, siguruan shumicën në dhomën e lartë të Kongresit, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ende vazhdon numërimi i votave, është arritur në 205 ulëse.
Demokratët, të cilët kanë 190 ulëse, kanë shumë pak gjasa të fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 5 nëntor në SHBA, republikani Trump u zgjodh presidenti i 47-të i vendit duke kaluar 270 delegatë.
Në fjalimin e saj të djeshëm, Kamala Harris njoftoi se e pranoi humbjen në zgjedhje dhe tha se e telefonoi Trump-in dhe e uroi atë.
Trump detyrën si president do ta fillojë më 20 janar 2025.