Kryeparlamentari Gashi takon ambasadoren kroate, vlerëson mbështetjen për integrimin europian

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Nives Tiganj, ku është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështetjen kroate për integrimin europian të vendit.
Gashi ka vlerësuar partneritetin tradicional mes dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për avancimin e procesit të integrimit europian, si dhe për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.
“Një takim shumë konstruktiv me ambasadoren e Republikës së Kroacisë, Sh.S. Nives Tiganj, ku rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe partneritetin tradicional mes dy vendeve tona. Vlerësova mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut dhe theksova rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, në funksion të integrimit europian, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit”, deklaroi Afrim Gashi.



