Tragjedi në Brooklyn, zjarri përfshin pallatin gjatë natës, 6 të vdekur dhe 9 të plagosur

Një zjarr i përmasave të mëdha në një ndërtesë banimi në Brooklyn të New York-ut ka shkaktuar gjashtë viktima dhe nëntë të plagosur. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pranë zonës së Sunset Park, duke mobilizuar një numër të madh forcash zjarrfikëse dhe ekipesh shpëtimi.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY), alarmi u dha rreth orës 01:40 sipas orës lokale. Mbi 230 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës mbërritën në vendngjarje, por flakët kishin përfshirë tashmë dy katet e para të ndërtesës, duke vështirësuar ndërhyrjen.
Gjatë operacionit, zjarrfikësit gjetën katër persona të pajetë brenda godinës. Dy të tjerë u nxorën në gjendje kritike, por nuk arritën të mbijetonin. Nga zjarri u plagosën gjithashtu gjashtë civilë, dy prej të cilëve ndodhen në spital në gjendje kritike, si dhe tre zjarrfikës që morën pjesë në operacion. Në vendngjarje u thirr edhe një ekip për trajtimin e materialeve të rrezikshme, pasi brenda ndërtesës u konstatua prania e një baterie litium-jon. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse bateria ka shkaktuar zjarrin apo ka ndikuar në përhapjen e flakëve. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e tragjedisë.



