Blerim Sejdiu godet BDI-në: Nuk mund të kërkosh llogari për dy vite, duke heshtur për njëzet të tjera

Kryetari i Komunës së Zhelinës nga radhët e VLEN-it, Blerim Sejdiu, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke kritikuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për periudhën mbi dydekadëshe të qeverisjes dhe gjendjen e krijuar ndër vite në zonat e banuara me shqiptarë.
Sejdiu ka theksuar se përgjegjësia për problemet e akumuluara ndër vite nuk mund t’i ngarkohet VLEN-it, i cili, sipas tij, ka vetëm dy vite që është pjesë e Qeverisë.
Ai ka përmendur në veçanti emigrimin e të rinjve, duke e cilësuar atë si pasojë të mungesës së perspektivës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë në vend.
“Nuk mund të kërkosh llogari për dy vite, duke heshtur për njëzet të tjera! Llogari PO, por ndaj atyre që na mbajtën të pazhvilluar!”, ka shkruar Sejdiu.
Më tej, kryetari i Zhelinës ka theksuar se shqiptarët kanë nevojë për një debat të ndershëm mbi rezultatet e qeverisjes, atë që nuk është realizuar dhe ndryshimet që nevojiten, e jo për përplasje propagandistike.
“Ne nuk do të lejojmë që historia të relativizohet dhe përgjegjësia të zhvendoset sipas interesave politike të ditës. Nuk do të harrojmë kurrë!”, ka përfunduar reagimin e tij Sejdiu.



