Rexhep Memedi: Sigurohet terapia moderne “Trikafta” për 126 pacientë me fibrozë cistike

Një zhvillim i rëndësishëm në trajtimin e fibrozës cistike në Maqedoninë e Veriut. Duke filluar nga ky vit, 126 pacientë me këtë sëmundje, nga mosha dyvjeçare e lart, do të kenë qasje në terapinë moderne moduluese Trikafta.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, Rexhep Memedi, përmes një video-mesazhi, duke konfirmuar se terapia është siguruar për të gjithë pacientët që plotësojnë kriteret dhe kanë indikacionet e nevojshme mjekësore.
Terapia Trikafta konsiderohet një avancim i rëndësishëm në trajtimin e fibrozës cistike, pasi vepron drejtpërdrejt mbi proteinën CFTR, funksionimi i së cilës është i dëmtuar te personat që vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo ndihmon në përmirësimin e funksionit të mushkërive dhe në zvogëlimin e komplikimeve të sëmundjes.
Sigurimi i kësaj terapie për pacientët, përfshirë edhe fëmijët nga mosha dyvjeçare, zgjeron mundësitë për trajtim bashkëkohor dhe synon përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve dhe familjeve të tyre.



