Harry Kane vazhdon kontratën me Bayern Munichun deri në vitin 2029

Kapiteni i Anglisë dhe fituesi i Topit të Artë për vitin 2026, Harry Kane, ka vazhduar kontratën me Bayern Munich deri më 30 qershor 2029, njoftoi të enjten klubi gjerman i Bundesligës, transmeton Anadolu.

Sulmuesi 33-vjeçar, i cili iu bashkua Bayernit nga Tottenham Hotspur në gusht të vitit 2023, ka shënuar 156 gola në 161 paraqitje zyrtare për klubin nga Mynihu.

“Ndihem si në shtëpinë time te FC Bayern. E dua klubin, tifozët dhe qytetin e Mynihut”, ka thënë Kane në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të klubit.

“Kemi një ekip të mrekullueshëm dhe një trajner të shkëlqyer, Vincent Kompany. Ndihem shumë krenar që jam pjesë e këtij klubi. E gjithë familja ime është shumë e lumtur këtu. Dëshiroja të qëndroja. Tani pres me padurim të ardhmen dhe dua të fitoj edhe shumë trofe të tjerë me këtë klub të madh”, ka deklaruar sulmuesi anglez.

Duke folur në një konferencë për media, ku ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i Bayernit, Jan-Christian Dreesen, si dhe anëtari i bordit përgjegjës për sportin, Max Eberl, Kane tha se vazhdimi i kontratës ishte vendim i lehtë.

“Nuk m’u desh shumë kohë për të menduar. Jam në vendin më të mirë ku mund të jem. Nëse nuk do të besoja te ekipi, nëse nuk do të besoja se mund t’i fitojmë trofetë më të rëndësishëm, do të kisha shqyrtuar mundësi të tjera”, tha ai.

Që nga transferimi i tij në Gjermani, Kane e ka ndihmuar Bayernin të fitojë dy tituj të Bundesligës, një Kupë të Gjermanisë dhe dy Superkupa të Gjermanisë.

Në secilin prej tri sezoneve të tij me klubin, ai ka përfunduar si golashënuesi më i mirë i Bundesligës, ndërsa ka fituar dy herë Këpucën e Artë të Evropës.

Kane fitoi gjithashtu Topin e Artë për vitin 2026, pasi shënoi 61 gola në 51 paraqitje për Bayernin gjatë sezonit 2025-2026, kur klubi fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Gjermanisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button