Bekim Sali: Raporti i KE-së konfirmon përparim në integrimin evropian, pa regres të konstatuar

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka deklaruar se raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut konfirmon përparim në procesin e integrimit evropian, pa konstatuar regres në këtë proces.
Përmes një njoftimi, Sali theksoi se raporti evidenton vlerësime të përmirësuara në disa fusha, përfshirë transformimin digjital, mediat, arsimin dhe kulturën.
Ai përmendi zbatimin e Agjendës Reformuese, lirimin e 142,1 milionë eurove nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, si dhe 338 shërbimet elektronike të disponueshme për qytetarët, si tregues konkretë të rezultateve të arritura.
„Si Ministri për Çështje Evropiane, mbetemi të përkushtuar ndaj përshpejtimit të reformave, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga procesi i anëtarësimit“, ka deklaruar Sali.
Ai shtoi se integrimi evropian nuk është vetëm objektiv strategjik, por edhe angazhim për institucione më efikase, ekonomi më konkurruese dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.
Në fund, Sali u shpreh se pret që përparimi i arritur të vlerësohet në mënyrë meritore, përmes një procesi të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në rezultate.



