Simbol i qetësisë dhe vizionit afatgjatë

Edhe pse ai nuk e jetoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Rugova konsiderohet si një nga arkitektët kryesorë të saj. Ai shërbeu jo vetëm si analist dhe studiues, por edhe si një nxitës i modernizimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Shkëlzen HALIMI, Shkup

Ibrahim Rugova (1944–2006) pa dyshim se është një nga figurat më të rëndësishme intelektuale dhe politike të Kosovës, i njohur jo vetëm si kritik i shquar letrar, por edhe si lider politik dhe arkitekt i lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës.

Rugova studioi në Universitetin e Prishtinës dhe në Paris (Ecole Pratique des Hautes Etudes), ku u specializua në teoritë bashkëkohore të letërsisë. Ai i dha hov kritikës letrare në Kosovë gjatë viteve ’70-të dhe ’80-të, duke sjellë një qasje moderne në interpretimin dhe analizën e letërsisë shqipe.

Rugova shkroi për disa nga penat më të rëndësishme të letërsisë shqipe, si Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Ismail Kadare etj., duke analizuar ndikimet dhe motivet e tyre, duke i lidhur me rrjedhat globale letrare. Përmes punës së tij si studiues dhe kritik, Rugova e promovoi idenë e letërsisë si një mjet për ta ndërtuar dhe ruajtur identitetin kulturor të popullit shqiptar në Kosovë.

Rugova si politikan

I njohur si “Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, Ibrahim Rugova ishte një lider politik që përqafoi një qasje të veçantë dhe të qëndrueshme paqësore në luftën për liri dhe pavarësi nga Serbia. Ishte një simbol i qetësisë, vizionit afatgjatë dhe përkushtimit ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.

Rugova do të përfshihet në politikë në fund të viteve të ’80-ta të shekullit të kaluar, në një kohë kur Kosova po përjetonte një shtypje të rëndë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Në vitin 1989, autonomia e Kosovës u suprimua nga Serbia, gjë që shkaktoi zemërim të gjerë mes shqiptarëve.

Në vitin 1989 një grup i intelektualëve që gravitonin kryesisht në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës e themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), në krye të së cilës qëndroi Rugova. LDK-ja ishte partia e parë opozitare dhe më e madhja e shqiptarëve në Kosovë. Pikërisht kjo shënoi fillimin e rrugëtimit të tij si lider politik, duke u bërë i njohur për qasjen e tij paqësore, të cilën e shihte si mënyrën më të efektshme për ta kundërshtuar regjimin serb dhe për ta fituar mbështetjen ndërkombëtare. Ai e promovoi rezistencën pasive, duke refuzuar dhunën dhe duke ndërtuar institucione paralele shqiptare në Kosovë, përfshirë edhe sistemin arsimor dhe shëndetësor.

Për të vërtetën e Kosovës, por edhe për shqiptarët, ai do të angazhohet edhe në periudhën kur hovi i politikës famëkeqe të Sllobodan Millosheviqit do të fillojë të bëhet i pandalshëm. Kështu, në cilësinë e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ai me argumente të qëndrueshme do t’i kundërvihet politikës antishqiptare të regjimit të Millosheviqit. Këtë e tregon edhe një dokument i Arkivit të Kosovës. Më 29 shtator të vitit 1988, Ibrahim Rugova do të ketë një takim me Rut Hansen-in, atëherë sekretar i parë i Ambasadës së SHBA-së në RSFJ. Në këtë takim Rugova foli gjerësisht për etnogjenezën e kombësisë shqiptare, edhe atë për dy teoritë, përkatësisht për të vërtetën e saj. Për të parën Rugova do të thotë se “këto vise kanë qenë të banuara nga fisi ilir, Dardanët, dhe ky vend është quajtur Dardani, kurse elementi shqiptar është shtypur me ardhjen e sllavëve në shekullin e gjashtë”. Teoria e dytë, siç vuri në pah shkencërisht, “nuk është dëshmuar se shqiptarët këtu kanë ardhur në vitin 1690 pas shpërnguljeve serbe”. Në këtë takim me përfaqësuesit e ambasadës amerikane, Rugova theksoi se mjetet e serbe të informimit publik krijojnë pasqyrë të gabuar për Kosovën, sepse problemet nuk janë siç përshkruhen. Ai tha se në tubimet protestuese të serbeve dhe malazezëve (ishte koha e regjimit të atëhershëm komunist në krye me Sllobodan Millosheviqin – v.j.) pati parulla të pakëndshme që kontribuojnë për mosbesimin ndërnacional. Në mënyrë të prerë tha se është kundër përdorimit të termeve (nga pala serbe) gjenocid, terror dhe fashizëm.

Kjo filozofi e bëri Rugovën një figurë të respektuar jo vetëm brenda Kosovës, përkatësisht në hapësirat shqiptare që gjendeshin në RSFJ-në e atëhershme, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 1991, shqiptarët e Kosovës shpallën një Deklaratë të Pavarësisë, e cila nuk u njoh ndërkombëtarisht. Rugova u zgjodh President i Kosovës në zgjedhjet e para të organizuara në mënyrë të njëanshme nga shqiptarët në vitin 1992. Ai shërbeu si udhëheqës simbolik i institucioneve paralele të shqiptarëve të Kosovës, që funksiononin jashtë sistemit serb.

Lufta në Kosovë sfidoi qasjen paqësore të Rugovës. Ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) zhvillonte luftë të armatosur kundër forcave serbe, Rugova u përpoq ta mbronte filozofinë e tij të dialogut dhe paqes. Në fund, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, pas masakrave dhe spastrimit etnik në Kosovë, çoi në përfundimin e konfliktit dhe largimin e forcave serbe nga Kosova.

Pas luftës, Rugova vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në politikën kosovare. Ai u zgjodh President i Kosovës në vitin 2002 dhe shërbeu deri në vdekjen e tij në 2006. Në këtë periudhë ai vazhdoi të punonte për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe sigurimin e njohjes ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.

Edhe pse nuk e jetoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Rugova konsiderohet si një nga arkitektët kryesorë të saj. Vizioni dhe përkushtimi i tij për një shtet të lirë e të pavarur ishin shtyllat kryesore për të cilat Kosova luftoi për dekada.

Ibrahim Rugova mbetet një nga liderët më të shquar dhe karizmatikë të historisë moderne të Kosovës, duke u vlerësuar për qasjen e tij të qëndrueshme, filozofinë paqësore dhe vizionin afatgjatë për pavarësinë e Kosovës. Si lider, ai simbolizoi unitetin kombëtar dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.

Rugova si kritik letrar

Ibrahim Rugova ishte një nga figurat më të rëndësishme të kritikës letrare shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Si kritik letrar, ai u dallua për një qasje të re dhe moderne, duke futur metoda dhe teori të huazuara nga shkolla të përparuara të kritikës europiane, të cilat i përqasi në analizën e letërsisë shqipe. Në veprimtarinë e tij kritike, Rugova shërbeu jo vetëm si analist dhe studiues, por edhe si një nxitës i modernizimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Gjatë studimeve të tij në Francë, Rugova u njoh me teoritë më të avancuara të kohës, si strukturalizmi, semiotika dhe post-strukturalizmi. Ai i aplikoi këto qasje në letërsinë shqipe, duke i dhënë një frymë të re dhe duke e ngritur kritikën letrare në nivele më të larta akademike.

Strukturalizmi dhe semiotika e ndihmuan Rugovën t’i analizonte veprat letrare në mënyrë të thellë, duke u përqendruar në strukturat e tyre të brendshme dhe simbolikën, përtej kuptimeve të sipërfaqshme.

Libri i tij më i rëndësishëm në kritikë, “Refuzimi estetik” (1979), përfaqëson një pikë kthese në kritikën letrare shqipe. Në këtë vepër, Rugova paraqet konceptin e autonomisë estetike të letërsisë. Ai argumentoi se letërsia duhet të vlerësohet si art në vetvete, e pavarur nga ndikimet ideologjike, politike ose morale. Ky qëndrim ishte revolucionar në kohën kur letërsia në Shqipëri dhe Kosovë ishte e mbizotëruar nga ideologjia e realizmit socialist.

Letërsia, për Rugovën, nuk ishte thjesht një formë arti, por edhe një mjet për ta ruajtur dhe pasqyruar identitetin kombëtar. Në analizat e tij, ai e trajtonte letërsinë si një reflektim të përvojave historike dhe kulturore të shqiptarëve, duke e parë atë si një burim frymëzimi për ndërtimin e vetëdijes kombëtare.

Një nga kontributet e rëndësishme të Rugovës ishte studimi i trashëgimisë së Pjetër Bogdanit, autorit të parë të letërsisë së shkruar shqipe. Në librin “Vepra e Bogdanit 1675-1685”, ai nxjerr në pah rëndësinë e veprës së Bogdanit si një gur themeli për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Rugova u dallua jo vetëm si kritik, por edhe si një intelektual me ndikim të thellë në formimin e mendimit kulturor në Kosovë, duke krijuar edhe një standard të ri për analizën letrare dhe për vetë letërsinë shqipe. Natyrisht, ndikimi i tij, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të ndihet në fushën e studimeve letrare, ku librat dhe qasjet e tij përdoren ende si pikë reference.

Ibrahim Rugova, si kritik, ishte një pionier që kontribuoi në transformimin dhe modernizimin e letërsisë shqipe. Ai mbetet një shembull i jashtëzakonshëm i intelektualit që e ndërthurte pasionin për artin me përkushtimin për identitetin dhe kulturën kombëtare.

Rugova dhe Shqipëria

Ibrahim Rugova kishte një marrëdhënie të veçantë me Shqipërinë, të cilën e shihte si një pjesë të pandashme të identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Ai u përpoq të krijonte një raport të balancuar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke ruajtur autonominë politike të Kosovës, ndërkohë që promovonte bashkëpunimin dhe lidhjet kulturore e kombëtare.

Rugova kishte një lidhje të fortë me traditën intelektuale shqiptare, të cilën e kishte studiuar dhe analizuar në veprat e tij. Gjatë viteve të tij si studiues dhe kritik letrar, ai e kishte vlerësuar Shqipërinë si burimin kryesor të kulturës dhe historisë kombëtare shqiptare, duke u përqendruar në ndikimin e saj mbi letërsinë dhe identitetin kulturor të Kosovës.

Regjimi shqiptar i kohës, përkatësisht regjimi komunist i Enver Hoxhës, promovonte shkrimtarë të caktuar nga Kosova, që vlerësoheshin si persona në përputhje me linjat ideologjike të Tiranës. Këta shkrimtarë, që shquheshin për angazhimin e tyre në përhapjen dhe forcimin e socrealizmit shqiptar, si dhe që ndihmonin në forcimin e narrativës së unitetit kombëtar, merrnin mbështetje dhe vlerësim nga autoritetet, duke u botuar dhe promovuar në Tiranë si intelektualë të mëdhenj kombëtar.

Në anën tjetër, ata shkrimtarë që shprehnin ide të tjera, që konsideroheshin si devijuese, kritike ndaj regjimit ose që synonin një qasje më të hapur dhe më të larmishme për identitetin shqiptar, ishin të etiketuar si “të rrezikshëm” dhe “antishqiptarë”. Regjimi i shihte ata si shkrimtarë “hermetikë” dhe “rebelë”.

Në një dokument të Arkivit të Shqipërisë, hartuar nga Ajet Haxhiu (autor i veprës “Shota dhe Azem Galica”) janë caktuar dy grupime krijuesish nga Kosova, “ata të cilët i kanë shërbyer çështjes kombëtare me veprat dhe punimet e tyre”, si dhe “krijuesit që me krijimtarinë e tyre janë negativë apo të papërcaktuar”! Përderisa në grupimin e parë ishin evidentuar Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Agim Vinca, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Fahredin Gunga, Ekrem Kryeziu, Jakup Ceraja, Qerim Ujkani, Rrahman Dedaj, Shyqyri Galica e disa të tjerë, në grupimin e dytë (pra si negativë), midis disa emrave (Beqir Musliu, Rexhep Ismajli, Anton Pashku) figuron edhe emri i Ibrahim Rugovës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button