Sigurohet furnizim i rregullt me energji pas sulmit në veri
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha të shtunën se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë, pas sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
“Ibër-Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshme me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit ‘Kosova B’. Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacenuar”, tha Rizvanolli në një postim në Facebook të shtunën në mëngjes.
Ajo tha se pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është marrë vendim po ashtu që autoritetet e vendit të bashkërendohen me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale.
Rizvanolli shtoi se “nga ky akt terrorist” është ndikuar edhe furnizimi me ujë.
“Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”, tregoi ajo.
Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Shpërthimi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.
Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.
Pas këtyre sulmeve, Policia e Kosovës tha të premten se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në pjesën veriore të shtetit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”. /rel/