Shefi i kriptovalutës Tron, hanë bananen që e bleu si vepër arti për 5.8 milionë euro
Justin Sun, themeluesi i projektit të blockchain TRON, hëngri një banane të cilën e kishte blerë më parë për 6.2 milionë dollarë (5.87 milionë euro).
Në një nga hotelet më të shtrenjta të Hong Kongut, ai e hëngri bananen para dhjetëra gazetarëve, pas një fjalimi ku e cilësoi veprën si “ikonike” dhe tërhoqi paralelizma mes artit konceptual dhe kriptomonedhave.
“Është shumë më mirë se bananet e tjera. Është vërtet e mirë”, deklaroi ai.
E quajtur “Comedian”, vepra konceptuale e krijuar nga artisti italian, Maurizio Cattelan u shit në një ankand të Sotheby’s në New York.
Sun tha se ndjeu “mosbesim” në 10 sekondat e para pas fitimit të ankandit, përpara se të kuptonte “se kjo mund të bëhet diçka e madhe”.
Pas kësaj, ai vendosi të hante bananen, “ta ha atë në një konferencë shtypi mund të bëhet gjithashtu një pjesë e historisë së veprës”.
Prezantimi i krijesës së ngrënshme në ekspozitën Art Basel të vitit 2019 në Miami Beach shkaktoi polemika dhe ngriti pyetje nëse ajo duhej të konsiderohej art – që ishte qëllimi i deklaruar i Cattelan.
Ndërkohë, Sun gjithashtu këtë javë njoftoi se do të bëjë një investim prej 30 milionë dollarësh në World Liberty Financial, një projekt i kriptovalutave i mbështetur nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.
Biznesmeni i kriptomonedhave vitin e kaluar u akuzua nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit i SHBA-së për ofrimin dhe shitjen e letrave me vlerë të pa regjistruara në lidhje me projektin e tij kripto, Tron. Rasti është ende në proces.