Shtetet anëtare të GJNP-së shkarkojnë me shumicë votash prokurorin Karim Khan i cili hetonte krimet e luftës në Palestinë dhe Afganistan

Shtetet anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) votuan të premten me shumicë për shkarkimin e kryeprokurorit Karim Khan, për shkak të akuzave për sjellje të papërshtatshme, gjatë një sesioni të posaçëm të mbajtur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Sipas burimeve diplomatike, 82 nga 125 shtetet anëtare të gjykatës votuan në një votim të fshehtë për shkarkimin e Khanit, duke tejkaluar shumicën absolute prej 63 votash të nevojshme për largimin e tij.
Trembëdhjetë shtete votuan kundër, ndërsa 15 abstenuan.
Kjo është hera e parë në historinë 24-vjeçare të GJNP-së që shtetet anëtare votojnë për shkarkimin e një kryeprokurori në detyrë.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të pasojë zgjedhja e një prokurori të ri.
Akuza për sjellje të papërshtatshme
Votimi i së premtes u përqendrua në akuzat se Khan kishte pasur një marrëdhënie seksuale me një anëtare të stafit të zyrës së tij.
Shtetet anëtare u thirrën të votonin mbi gjetjet e Byrosë së Asamblesë së Shteteve Palë, organi ekzekutiv i gjykatës, i cili arriti në përfundimin se “provat vërtetojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” se Khan “kishte pasur një marrëdhënie seksuale” me ankuesen.
Sipas Byrosë, për shkak të pabarazisë së pushtetit mes palëve, “një marrëdhënie seksuale nuk mund të ishte kurrë e përshtatshme”.
Khan mohoi se kishte pasur ndonjë marrëdhënie seksuale, ndërsa ankuesja, e cila ishte në qendër të hetimit të kryer nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Mbikëqyrjes së Brendshme (OIOS), pretendoi se bëhej fjalë për sjellje seksuale pa pëlqimin e saj.
Në një intervistë për CNN javën e kaluar, paraqitja e saj e parë publike lidhur me rastin, ankuesja qëndroi pas pretendimeve për sjellje seksuale pa pëlqim.
Khan kishte deklaruar për Middle East Eye në muajin maj se, nëse shkarkohej, do ta apelonte vendimin në Tribunalin Administrativ të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), organi ku punonjësit e GJPN-së mund të ankimojnë vendimet e punësimit.
Presione politike dhe hetimet për Palestinën
Votimi u zhvillua pak kohë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërcënoi se Uashingtoni do ta “çmontonte GJNP-në tullë pas tulle, nëse do të ishte e nevojshme”, ndërsa shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatës, përfshirë Khanin, janë sanksionuar nga SHBA për punën e tyre në hetimet mbi krimet e luftës në Palestinë dhe Afganistan.
Procesi disiplinor ndaj Khanit nisi pas vendimit të tij, më shumë se dy vjet më parë, për të kërkuar urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe tre drejtuesve të Hamasit për krime të dyshuara lufte të kryera gjatë luftës në Gaza që nga tetori 2023.
Votimi u zhvillua gjithashtu mes kritikave për mënyrën se si Byroja e Asamblesë së Shteteve Palë e trajtoi hetimin, pasi shpërfilli opinionin unanim të panelit të gjyqtarëve, i cili kishte arritur në përfundimin se nuk ishte vërtetuar asnjë shkelje nga ana e Khanit.
Më shumë se 180 organizata palestineze të shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut nënshkruan javën e kaluar një deklaratë, ku argumentonin se procesi disiplinor “është reduktuar në një referendum politik që ndjek interesat kombëtare të shteteve individuale anëtare”.
Si u zhvillua hetimi
Ankesa ndaj Khanit përfshinte akuza për sulm seksual në disa raste, përfshirë gjatë misioneve jashtë vendit dhe në selinë e gjykatës në Hagë. Sipas ankesës, abuzimet e pretenduara nisën në mars të vitit 2023 dhe vazhduan për gati një vit.
Akuza iu paraqitën për herë të parë personalisht Khanit më 2 maj 2024 nga anëtarë të ekipit të tij.
Një hetim i brendshëm nga Mekanizmi i Mbikëqyrjes së Brendshme (IOM) u hap dhe u mbyll brenda një jave, pasi ankuesja refuzoi të bashkëpunonte.
Më vonë po atë muaj, Khan kërkoi zyrtarisht urdhër-arrestet për Netanyahun, Gallantin dhe tre zyrtarët e Hamasit.
Në atë kohë, disa media pretenduan se Khan kishte kërkuar urdhër-arrestet për të fituar mbështetje mes akuzave ndaj tij. Megjithatë, sipas një hetimi të Middle East Eye, vendimi për kërkimin e urdhër-arresteve ishte marrë gjashtë javë përpara se të bëheshin publike akuzat, ndërsa kërkesa u dorëzua vetëm pasi hetimi i parë i brendshëm ishte hapur dhe mbyllur.
Akuzat kundër Khanit u rikthyen në rrjetet sociale dhe media në tetor 2024.
Një hetim i dytë nga IOM u hap dhe u mbyll në nëntor, por ankuesja sërish refuzoi të bashkëpunonte, duke bërë që Asambleja e Shteteve Palë të ngarkonte OIOS-in me një hetim të pavarur.
Për më shumë se një vit, hetuesit e OKB-së mblodhën dhe analizuan provat kundër Khanit për t’i mundësuar panelit të gjyqtarëve të jepte një opinion ligjor mbi bazën e standardit “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.
Më 11 dhjetor ata dorëzuan një raport prej 150 faqesh dhe mbi 5.000 faqe provash. Pas afro tre muajsh shqyrtimi, paneli i gjyqtarëve arriti në përfundimin unanim se faktet e paraqitura “nuk vërtetojnë sjellje të papërshtatshme apo shkelje të detyrës”.
Megjithatë, disa javë më vonë, shumica e anëtarëve të Byrosë votuan për ta shpërfillur këtë opinion, duke argumentuar se Khan mund të kishte kryer shkelje.
Pas kësaj, Byroja e pezulloi zyrtarisht Khanin, duke vlerësuar me shumicë votash se ai kishte kryer “sjellje të rëndë të papërshtatshme”, dhe ia referoi çështjen Asamblesë së Shteteve Palë.
Ndryshim i procedurës së votimit
Sipas Middle East Eye, procedura e votimit u ndryshua këtë muaj, duke ulur pragun për shkarkimin e Khanit.
Në vend të një procesi me dy faza – ku shtetet do të votonin veçmas nëse ai kishte kryer shkelje dhe më pas nëse duhej të shkarkohej – u zhvillua vetëm një votim i vetëm, ku shtetet miratuan njëkohësisht konstatimin për “sjellje të rëndë të papërshtatshme” dhe shkarkimin e tij.
Karim Khan, avokat britanik, ishte zgjedhur kryeprokuror i GJPN-së në shkurt të vitit 2021 dhe ishte personi i tretë që mbante këtë detyrë që nga themelimi i gjykatës në vitin 2002.
Përveç kërkesave për urdhër-arreste ndaj udhëheqësve izraelitë, zyra e tij ka kërkuar urdhër-arreste edhe ndaj presidentit rus Vladimir Putin, ish-presidentit filipinas Rodrigo Duterte, drejtuesve të juntës ushtarake në Mianmar dhe zyrtarëve talebanë në Afganistan. /MEE/



