Sheshi Skënderbeu u mbush me libra, në Shkup u hap “Panairi i Librit Shqip”

Nën moton ‘Gjuha jonë sa e mirë’ në sheshin’Skënderbeu’ në Shkup u hap Panairi i Librit Shqip, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për lexuesit, autorët, botuesit dhe të gjithë dashamirët e fjalës së shkruar shqipe, shkruan Portalb.mk.

Akademiku Ali Aliu, në fjalën e tij përshëndetëse, e vlerësoi hapjen e këtij panairi si një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare.

“Hapja e këtij panairi sot, këtu në Sheshin Skënderbeu, në sytë e Skënderbeut të madh, është një ngjarje e jashtëzakonshme. Ajo nuk ka vlerë vetëm për librin, shkrimtarët dhe lexuesit, por ka edhe vlerë kombëtare. Këto ditë, sa do të zgjasë panairi, janë festë e librit, festë e autorëve, botuesve dhe lexuesve. Autori, libri, botuesi dhe lexuesi janë një lidhje e pandarë dhe mund të funksionojnë vetëm si të tillë”, tha Aliu.

Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, Irena Toçi, njëherësh bashkorganizatore e panairit, tha se kjo ngjarje është ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore që instituti ka zhvilluar.

“Ky panair, për ne, do të mbetet në historinë e aktiviteteve kulturore si një nga më të rëndësishmit. Do të marrin pjesë botuesit më të mëdhenj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Entuziazmi i tyre ishte i dukshëm që në momentin kur i njoftuam se do të bëhemi bashkë këtu, në sheshin e Shkupit, për të folur në gjuhën tonë të bukur shqipe”, tha Toçi.

Ajo njoftoi se gjatë ditëve të panairit do të ketë aktivitete të shumta kulturore, promovime librash dhe takime me autorë shqiptarë nga të gjitha trevat.

“Çdo ditë dhe çdo orë do të ketë nga një aktivitet të ri. Pas ceremonisë së hapjes do të vazhdohet me prezantime të librave të rinj të autorëve shqiptarë nga rajoni. Në ditën e fundit do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare të panairit. Këtë vit kemi paraparë pesë çmime vlerësuese për letërsinë shqipe të zhvilluar gjatë vitit 2025”, deklaroi Toçi.

Në ceremoninë e hapjes, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se për herë të parë Shkupi po hap dyert për Panairin e Librit Shqip, duke u bërë pikëtakim i fjalës së shkruar, mendimit krijues dhe mbamendjes kolektive.

“Libri ka qenë gjithmonë udhëtimi më i sigurt i një kombi. Ai u ka mbijetuar kohëve të vështira, kufijve, ndalimeve dhe harresës. Aty ku mungonin urat, libri ndërtonte lidhje; aty ku mungonte zëri, libri fliste. Prandaj, ky panair, përveçse është një ngjarje e madhe kulturore, është dëshmi se gjuha shqipe vazhdon të jetojë, të krijojë dhe të pasurohet. Njëkohësisht, është shprehje e fjalës shqipe, e cila vazhdon ta kapërcejë kohën dhe kufijtë”, tha Mexhiti.

“Panairi i Librit Shqip, Shkup 2026” pritet të jetë një pikëtakim i rëndësishëm mes botuesve, autorëve dhe lexuesve, por edhe një mundësi e mirë për të nxitur kulturën e leximit te të gjitha gjeneratat.

Gjatë ditëve të panairit, qytetarët do të kenë mundësi të njihen nga afër me botime të shumta, të takojnë autorë e botues, si dhe të bëhen pjesë e një atmosfere të veçantë kulturore, që e vendos librin shqip në qendër të vëmendjes.

Panairi do të zgjasë katër ditë, nga 4 deri më 7 qershor, në të marrin pjesë botues nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button