Rama: Protestat po krijojnë pasiguri, turizmi po humbet vizitorë

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat po kanë në sektorin e turizmit, duke theksuar se në Vlora dhe Durrësi janë regjistruar anulime rezervimesh nga turistët e huaj për sezonin veror.

Në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se një pjesë e protestuesve janë të shqetësuar sinqerisht për zhvillimin e projektit në Zvërnec, por sipas tij, grupe të tjera po përdorin protestat për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Ai theksoi se në Vlorë nuk ka pasur kundërshtime të gjera ndaj investimit, pasi sipas tij shumica e qytetarëve mbështesin zhvillimin.

“Këto shënime dua ti nis me një reflektim parathënës lidhur me disa simptoma të cilat më shqetësojnë dhe duhet të shqetësojnë këdo që është i interesuar që gjërat të shkojnë më mirë në Shqipëri, jo të shkojnë më keq dhe besoj që edhe ndër ata që protestojnë një pjesë duan që gjërat në Shqipëri të shkojnë më mirë dhe janë sinqerisht të shqetësuar për si do të shkojë zhvillimi i investimit në Zvërnec. Ndërkohë që një pjesë tjetër, pjesa dominante nuk është se nuk duan që gjërat të shkojnë mirë, por ashtu siç ata duan që të shkojnë gjërat më e keqja vjen për Shqipërinë, dhe këtu kam parasysh ato partitë e vogla, që mbetën të vogla por që u bën të vjetra, kam parasysh prurjen që vijnë nga territore të tjera. Se çfarë lidhje kanë ata me këtë temë që ka të bëjë me Vlorën dhe që vetëm në Vlorë nuk ka shkaktuar asnjë lloj proteste sepse Vlora masivisht atje e do Zhvillimin, kjo është një pikëpyetje të cilës unë nuk dua t’ia jap përgjigjen por do ta lë pikëpyetje”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se operatorët turistikë në Vlorë dhe Durrës kanë ngritur shqetësimin për dëmet që protestat mund t’i shkaktojnë sezonit turistik.

Sipas Ramës, rreth 95% e bizneseve të hotelerisë, restoranteve dhe bareve në Vlorë iu bashkuan një proteste sensibilizuese për të kërkuar që sezoni të mos dëmtohet.

“Duke shkuar në Vlorë dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike e cila po forcohet dita-ditës. Anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj. Kam marrë shumë mesazhe por natyrisht që unë nuk mund të dal ta përdor këtë që të thuhet: të ndalosh protestën se tu dogj shpirti për hotelet, por nga ana tjetër nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese. Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese duke kërkuar mirëkuptimin që sezoni të mos dëmtohet. Sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë failjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe kombëtare në tërësi. Nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë ato para që do të hyjnë normalisht në një sezon turistik të qetë atëherë unë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo. Nëse ka një agjendë protesta për të penguar Shqipërinë nga të katërt anët dhe përmes pengesës për të krijuar një frustrim dhe për ti bërë njerëzit që të thonë: hajde se po e heqim këtë qeveri vetëm që të na lini rehat. Atëherë kjo është një agjendë që jo e re, por është një agjendë që është përdorur në vende të tjera por edhe këtu nga molotovarët por që nuk ka për të funksionuar, dëmi patjetër që do të jetë i madh dhe i panevojshëm sipas meje”, tha Rama.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button