Ambasadori turk në Tiranë: Turqia e sheh Ballkanin si rajon me rëndësi strategjike

Në Shqipëri është mbajtur Forumi i Biznesit Ballkanik, me pjesëmarrjen e zyrtarëve, organizatave të biznesit dhe sipërmarrëseve nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, raporton Anadolu.
Forumi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, kishte në fokus diskutimet për çështjet e tregtisë, investimeve, bashkëpunimit mes institucioneve dhe çështje të tjera.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në hapje të forumit theksoi se Turqia është sigurisht një nga partnerët kryesorë tregtar të Shqipërisë.
Ajo tha se ATTSO ka menduar që tregun mos ta shohë si një treg të vetëm dhe si një bashkëpunim dypalësh, por ta shohë sipas saj si një bashkëpunim rajonal.
“Është e rëndësishme që ta shohim në një formë të tillë pasi ne në Ballkanin Perëndimor jemi ekonomi të vogla dhe vetëm duke u bashkuar, bashkëpunuar, duke investuar bashkërisht apo duke shfrytëzuar kapacitete tona ne mund të përbëjmë një masë kritike për të përthithur investime, por edhe për të nxitur më shumë tregtinë”, tha Ibrahimaj.
Ajo u shpreh se ka qenë biznesi turk i cili që në fillim të viteve 90-të e pa Shqipërinë si potencial, besoi tek Shqipëria dhe investoi në Shqipëri.
– “Shqipëria është një nga partnerët më të rëndësishëm të Turqisë në Ballkan”
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, u shpreh se sot Shqipëria po kalon një proces ndryshimesh dhe transformimesh të shpejta dhe sipas tij progresi i arritur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), rritja ekonomike dhe investimet në infrastrukturë po hapin mundësi të reja për vendin.
“Ky aktivitet i organizuar nga ATTSO na bën vërtet krenarë. Turqia e sheh Ballkanin si një rajon me rëndësi strategjike në aspektin politik dhe ekonomik, të lidhur përmes historisë së përbashkët dhe lidhjeve kulturore. Ne i kushtojmë rëndësi të madhe forcimit të zhvillimit ekonomik, lidhshmërisë dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë kontekst, Shqipëria është një nga partnerët më të rëndësishëm të Turqisë në Ballkan”, tha ambasadori.
Ambasadori turk gjithashtu tha se janë shumë të kënaqur që shohin se marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Turqisë dhe Shqipërisë reflektohen fuqishëm në sferën ekonomike.
– “Marrëdhëniet ekonomike midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit janë zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit”
Mehmet Ali Kiliçkaya, drejtori i përgjithshëm i eksporteve pranë Ministrisë turke të Tregtisë tha se për Turqinë, Ballkani nuk është thjesht një rajon fqinj, por është Turqia është pjesë përbërëse e Ballkanit.
“Ne i qasemi marrëdhënieve tona me vendet e rajonit përmes një perspektive që merr forcë nga historia, kultura dhe lidhjet njerëzore të përbashkëta, por që mbetet e përqendruar te e ardhmja. Marrëdhëniet ekonomike midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit janë zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit, të mbështetura nga lidhjet e vëllazërisë që datojnë prej shekujsh. Ne besojmë se kontributi më i fuqishëm për të ardhmen e rajonit mund të vijë nga vetë vendet e Ballkanit”, tha Kiliçkaya.
Kryetari i Bordit Drejtues të ATTSO-së, Kenan Sevinç, tha se janë mbledhur në këtë forum për të diskutuar mbi të ardhmen e përbashkët të Ballkanit dhe Turqisë, të bazuar sipas tij në tregti, investime, prodhim dhe besim të ndërsjellë.
“Fakti që përfaqësues biznesi nga pesë vende të ndryshme, së bashku me institucionet dhe sipërmarrësit tanë, janë bërë bashkë nën një çati, është treguesi më konkret i potencialit të këtij forumi”, tha Sevinç.
Pas fjalëve hapëse u mbajt dhe një panel diskutimi, ndërkohë u promovuan në stenda edhe bizneset nga vendet e Ballkanit.



