Courtois ankohet për mungesën e vlerësimit të portierëve në Topin e Artë: Edhe unë meritoja të isha më lart

Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka rikthyer në vëmendje mungesën e vlerësimit të portierëve në garën për çmimin prestigjioz “Topi i Artë”.
Në konferencën për media para ndeshjes me PSV-në, gardiani belg ka thënë se është shumë e vështirë që një portier ta fitojë këtë çmim, pavarësisht paraqitjeve të jashtëzakonshme gjatë sezonit.
Courtois ka përmendur edhe vitin 2022, kur Karim Benzema e fitoi Topin e Artë, duke thënë se edhe ai vetë meritonte një pozitë më të lartë në renditje.
“Ka pasur portierë që kanë ndryshuar mënyrën e lojës. Neuer ishte afër në vitin 2014, ndërsa mendoj se edhe në vitin 2022 duhej të isha më lart në renditje. Benzema e meritonte çmimin, por unë mendoj se duhej të isha më lart. Nuk e di çfarë sezoni duhet të bëjë një portier për ta fituar Topin e Artë”, deklaroi ai.
Belgu foli edhe për situatën aktuale të Real Madridit, duke vlerësuar se përmbysja ndaj Romës ishte vendimtare për rikthimin e besimit në skuadër.
Ai komentoi edhe fishkëllimat e tifozëve në “Santiago Bernabeu”, duke thënë se pritshmëritë e larta janë pjesë e madhështisë së klubit, por jo gjithmonë ndihmojnë futbollistët.
Në fund, Courtois u ndal edhe te Vinicius Junior, për të cilin tha se duhet të luajë i lirë dhe ta shijojë futbollin.
“Nuk mund të jesh gjithmonë në nivelin nëntë apo dhjetë. Vetëm Messi dhe Cristiano ia kanë dalë ta bëjnë këtë. Nëse duam të luftojmë për trofe, kemi nevojë për Viniciusin më të mirë”, përfundoi portieri belg, i cili ka shprehur dëshirën për ta përfunduar karrierën në Madrid.



