Media amerikane: Pentagoni harton plane për një fushatë ushtarake tre-ditore kundër Iranit

Pentagoni ka hartuar plane për një fushatë intensive ushtarake tre-ditore kundër Iranit, raportoi të enjten “New York Times”, edhe pse presidenti Donald Trump tha se Washingtoni nuk do të nisë sulme përpara zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit, transmeton Anadolu.
Ushtria amerikane, duke vepruar sipas urdhrave të Trumpit, ka zhvilluar opsione për të goditur arsenalin e raketave dhe dronëve të Iranit, objektet energjetike dhe objektet e tjera ushtarake, raportoi “The Times”, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare, të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, diskutuan planet në “Camp David” të premten e kaluar, me opsionet që përqendrohen në një fushatë të shkurtër dhe intensive që zgjat rreth tre ditë, sipas njerëzve të informuar mbi propozimin.
Sulmet do të përqendrohen në arsenalin e raketave dhe dronëve të Iranit, shumica e të cilave është rindërtuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) që nga faza e hershme e luftës, tha gazeta. Objektiva të tjerë të mundshëm përfshijnë objektet energjetike iraniane si dhe postet komanduese dhe selitë e IRGC-së.
Axios raportoi në anën tjetër se Pentagoni urdhëroi Komandën Qendrore të SHBA (CENTCOM) disa ditë më parë të përfundonte përgatitjet për një rifillim të mundshëm të operacioneve të mëdha luftarake kundër Iranit.
Direktiva nuk cakton një datë për sulme dhe Trump nuk ka marrë vendim përfundimtar, tha Axios duke shtuar se çdo operacion i rinovuar i madh luftarak pritej të përfshin bombardime në shkallë të gjerë të objektivave të energjisë, infrastrukturës dhe bërthamore iraniane.
Përgatitjet ushtarake vijnë pasi Trump tha të enjten se SHBA-ja nuk do të sulmojnë Iranin përpara zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit ndërsa vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme diplomatike. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trumpi tha se Washingtoni dhe Teherani po zhvillojnë “diskutime produktive”.
NYT raportoi se Trumpi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur propozimet në muajt e fundit për të rifilluar operacionet e mëdha luftarake kundër Iranit, pavarësisht se ka urdhëruar Pentagonin të përgatisë opsione të reja. Tri aeroplanmbajtëse amerikane pritet të jenë në Lindjen e Mesme në javët e ardhshme si pjesë e grumbullimit të madh ushtarak.


