Sali dhe Gashi në Çellopek: Bërvenica ka nevojë për projekte konkrete dhe zhvillim

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, dhe deputetin Adnan Azizi, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Çellopek të Komunës së Bërvenicës, ku kanë diskutuar për nevojat, shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre.
Përmes një njoftimi, Sali bëri të ditur se gjatë bashkëbisedimit me banorët dëgjuan nga afër çështjet që i shqetësojnë ata, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Dëgjuam nga afër nevojat, shqetësimet dhe pritshmëritë e banorëve, sepse besojmë se ndryshimi fillon duke qenë pranë banorëve dhe duke i dëgjuar ata”, deklaroi Sali.
Në takim ishte i pranishëm edhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini. Sipas Salit, angazhimi i tyre synon një komunë me më shumë punë, zhvillim dhe zgjidhje konkrete për qytetarët.
“Bërvenica ka nevojë për punë konkrete, projekte të realizueshme dhe një qeverisje që është pranë banorëve”, theksoi zëvendëskryeministri i parë.
Sali shtoi se ky është drejtimi në të cilin synojnë të angazhohen, duke vënë theksin te realizimi i projekteve dhe adresimi i nevojave të banorëve.
“Ky është angazhimi ynë dhe këtë ndryshim duam ta sjellim edhe në Bërvenicë”, përfundoi Sali.



