Që paqja të jetë ndryshe nga lufta

“Pse ta përkujtojmë ne Srebrenicën kur boshnjakët nuk merren shumë me hallet tona dhe nuk e njohin Kosovën?”, thuhet shpesh nga shqiptarët në rrjetet sociale. Ne, shqiptarët, nuk ka pse të jemi tregtarë fatkeqësish. Nuk ka pse ta ngremë zërin kundër gjenocidit vetëm me raste, sipas atij parimit fshataresk “na kanë ardhur, do u vemi”. Është interes i gjithë njerëzimit që ndaj krimeve të mbahet qëndrim., e sidomos popujt me përmasa krahasimisht të vogla e kanë të domosdoshme të ngrenë zërin kundër padrejtësive dhe pabarazive, sepse janë potencialisht të kërcënuar prej tyre.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Edhe prej atyre që nuk ia kanë lexuar fort veprën njihet një maksimë e filozofit të luftës, Von Clausewitz-it: “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”. Duke qenë se teoricieni prusian shkruante për çështje të rrezikshme e delikate, ai, si shumë të tjerë atëherë e njësoj si sot, shkruan një prozë të errët, ambige, të interpretueshme, për t’i shpëtuar në çdo rast çdo fajësimi të mundshëm e megjithatë për t´i thënë mes rreshtave të vërtetat e rëndësishme, paçka se me rrezikun që të mbeten të paqasshme për lexuesin sipërfaqësor. Vetë maksima me nam në lexim të parë tregon diçka që edhe është ditur, pra që lufta e politika kanë esencë të përbashkët, atë të çuarit përpara të një vullneti subjektiv (programi apo vizioni a ideje), por që dallojnë në mjete. Mirëpo, në një lexim tjetër nënkuptohet dhe kjo: siç ke qenë në paqe, do të jesh edhe në luftë; i paaftë në paqe, i paaftë në luftë; mizor në paqe, mizor në luftë e kështu me radhë: nëse në kohë të paqes ke qenë i kujdesshëm, i suksesshëm, viktimë, i zoti, njerëzor, kriminal, racist, idealist, hajdut, kaçak, i disiplinuar etj., ashtu do të jesh edhe kur të ushtojnë vetëtimat e luftës. Jo se kombet/shoqëritë/shtetet nuk ndryshojnë, por për ndryshimin e disa karakteristikave thelbësore me të cilat është mbrujtur kultura e tyre ose duhet kohë tejet e gjatë evolucionare ose duhet fitore/humbje shpartalluese (siç është, p.sh., rasti i denazifikimit radikal që u ndërmor në Gjermani e që u bë i mundur veç pas shpartallimit deciziv e të plotë e për shkak të kësaj).

Para ca kohësh qëllova në Bosnjë, në një takim politikanësh europianë dashamirë të sinqertë të Ballkanit Perëndimor. Ata e dinin shumë mirë se ç’po ndodh me Serbinë ,që po stërarmatoset, që po ia mban ison Rusisë, që po e bllokon Bosnjën e Kosovën aq sa mundet e kudo që mundet, e që po përdor rrezikshëm pakicat serbe në Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Megjithatë, te europianët mbretëronte ajo fryma “të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje, të bëjnë detyrat etj.”. Edhe kur dikush u tregon se njëra palë i ka përmbushur me përulësi krejt kriteret e detyrat, ndërsa pala tjetër vetëm se ka shkaktuar probleme pas problemesh, qasja është “po, po, ama të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje, të angazhohen” e kështu me radhë. Kjo qasje është indiferencë e maskuar si interesim, pasivitet përballë padrejtësisë i maskuar si aktivitet. Dihet se pasiviteti përballë padrejtësisë është në vetvete pjesëmarrje në padrejtësi. Kjo sjellje prej dashamirëve të sinqertë europianë na kujton se maksima e Von Clausewitz-it ka vlerë edhe e përmbysur: paqja është vazhdim i luftës – me pak fjalë, siç kanë vepruar në luftë duke u vonuar tej mase përballë shantazheve serbe, ashtu po veprojnë edhe në paqe.

Në atë vizitë, që ishte e dyta për mua në Sarajevë, 15 vite pas të parës, vizituam një muze-tunel, një birë 800-metërshe, të ndërtuar me kushte primitive, që ishte e vetmja mundësi për të marrë furnizime për qytetin e mbajtur nën bllokadë, nën rrethim për 5 vite me radhë nga ushtria serbe. Në memorialin e ndërtuar në hyrje të tunelit pashë rrëshqitazi emrat e të vrarëve në Sarajevë. Mes tyre, më zuri syri edhe shumë shqiptarë. Dikush më tregoi se thuajse 10 për qind e banorëve të qytetit ishin/janë shqiptarë. Drejtori i muzeut, boshnjak, kishte marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e qytetit dhe kishte në trup vragë plumbash që i tregonte si të ishin eksponate muzeale. Ai na tha, ndoshta për të kënaqur veshin europian, se nuk e kishte problem të ulej e të pinte kafe me ata që e kishin plagosur; me rëndësi të mos kthehej më lufta. I pavetëdijshëm se kjo gatishmëri e viktimës për t’u kthyer në tryezën e kafenesë me kasapin, nuk ndihmon paqen. Përkundrazi, viktima që i dërgon ftesë kasapit që ende e mban thikën në dorë e që nuk është dënuar për krimet e shkuara? Ky është skenar për tragjedi të reja. Por, ç’t’i bësh? Vazhdon paqja me të njëjtën inkonsistencë logjike, si dikur lufta…

Ndërkohë, përtej kodrave në lindje të qytetit, disa qindra metra na ndanin nga entiteti i quajtur Republika Srpska. Atje sot ka homogjenitet etnik thuajse të pastër, i krijuar nga spastrimi e gjenocidi kundër elementit joserb. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e njohu gjenocidin serb mbi boshnjakët, por rrjedhojat e këtij gjenocidi vazhdojnë të funksionojnë politikisht në Republikën Srpska. Politikanët e tyre edhe sot vijojnë të shantazhojnë, të kërcënojnë, t’u tregojnë dhëmbët jo vetëm boshnjakëve, por edhe europianëve. Sot në paqe, si dikur në luftë.

Intelektualët ose opozitarët beogradas, kur marrin pjesë në kësi aktivitetesh, privatisht e në kafe të tregojnë se shpesh u duhet ta përdorin autocensurën. Ata ndihen të frikësuar për ta folur krejt të vërtetën në aktivitete publike, qoftë edhe jashtë Serbisë. Një politikan, Nikolla Sanduloviq, i cili guxoi t’i respektojë viktimat shqiptare dhe të vërë lule mbi varrin e shtatëvjeçares Blerina Jashari që u vra në Prekaz bashkë me familjarët e saj e me të tjerë fshatarë që i rezistonin regjimit serb, u rrah mizorisht në shtëpinë e tij në Beograd. Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, opozitar i thekur serb, për arsye të kuptueshme, nuk jeton më në Serbi. E tillë është situata sot. Në paqe. Njësoj si në luftë.

“Pse ta përkujtojmë ne Srebrenicën kur boshnjakët nuk merren shumë me hallet tona dhe nuk e njohin Kosovën?”, thuhet shpesh nga shqiptarët në rrjetet sociale. Ne, shqiptarët, nuk ka pse të jemi tregtarë fatkeqësish. Nuk ka pse ta ngremë zërin kundër gjenocidit vetëm me raste, sipas atij parimit fshataresk “na kanë ardhur, do u vemi”. Është interes i gjithë njerëzimit që ndaj krimeve të mbahet qëndrim., e sidomos popujt me përmasa krahasimisht të vogla e kanë të domosdoshme të ngrenë zërin kundër padrejtësive dhe pabarazive, sepse janë potencialisht të kërcënuar prej tyre.

Veç kësaj, ka edhe interes të drejtpërdrejtë të shqiptarëve për denoncimin e krimeve gjenocidale të Serbisë, sepse janë një ndër viktimat e preferuara të ideologjisë mizore mbi të cilën është ndërtuar një program nacionalist grabitqar e shoven që dominon tash e dy shekuj në Serbi. Boshnjakët nuk e njohin Kosovën, sepse janë të bllokuar nga Republika Srpska dhe nga partitë serbe të Bosnjës të dirigjuara nga Beogradi e Moska (ashtu siç ukrainasit nuk e njohin Kosovën për shkak të ndikimit direkt që ka pasur Rusia deri para luftës në disa parti politike e oligarkë, si dhe në pjesë të popullsisë të atij vendi). Megjithatë, e përsërisim, është në përputhje me principet universale të drejtësisë të qëndrosh kundër krimeve, gjenocideve e pushtimeve, po ashtu është edhe në përputhje me vetëmbrojtjen tonë ta ngremë zërin kundra mizorive ruse e serbe.

“Në Bosnjë nuk u vranë boshnjakë, por njerëz!”, pati thënë para disa vitesh Dritan Abazoviqi, asokohe kryeministër i Malit të Zi. Po, në Bosnjë u vranë njerëz. Por, edhe vrasësit ishin njerëz. Me kaq nuk kemi thënë asgjë. Dikush paguhet, dikush rritet në detyrë, duke mos thënë asgjë ose për të mos thënë asgjë. Ka që kryejnë studime e trajnime, magjistrime e doktorime, paguajnë instruktorë për të mësuar aftësinë se si të mos thuash asgjë, por ta bësh këtë me elokuencë të bukur. Ka që paguajnë ekipe me fjalimshkrues për të siguruar që nuk thuhet asgjë, në vendin e duhur e në kohën e duhur. Kështu bën edhe Dritan Abazoviqi e shumë politikanë të tjerë shqiptarë, që nuk bëjnë politikë shqiptare. Në Bosnjë, gjatë rrethimit të Sarajevës, po edhe gjatë vuajtjeve të qyteteve të tjera, e në përgjithësi gjatë luftës, nuk janë vrarë vetëm boshnjakë. Për shembull, ka pasur aty edhe shqiptarë. Madje-madje, ka pasur edhe serbë që janë vrarë nga serbët, ata që nuk kanë pranuar të marrin armët kundër fqinjëve, që nuk i kanë lëshuar shtëpitë, andaj janë vrarë e kanë vuajtur krah për krah me boshnjakët. Ka edhe serbë që kanë luftuar në anën e Bosnjës, si për shembull gjenerali Jovan Divjak, i cili qysh prej fillimit e la JNA-në dhe u angazhua me ushtrinë boshnjake në nivele të larta, në mbrojtjen e Sarajevës së rrethuar e më pas edhe si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm Boshnjak. Në 2011 Divjakun e ndali policia austriake, sepse kishte urdhërarrest nga Serbia, njëjtë si për gjithë çlirimtarët që luftuan kundër saj. S’ka pse habitemi këtu: secili popull, sado i dominuar nga ideologji shovene e vrastare, e ka megjithatë fuqinë për të nxjerrë lastarë shprese që e mbajnë anën e së drejtës. Edhe nga ana e boshnjakëve nuk kanë qenë të gjithë viktima ose çlirimtarë. Për shembull, Fikret Abdiqi i “Bosnjës Perëndimore” u bë aleat me ushtrinë e Republikës Srpska dhe më vonë ka mbajtur burg i dënuar për krime lufte kundër boshnjakëve. Çdo popull ka njerëz që për ambicie personale, për inat, për lakmi, puthen me hasmin dhe e kthejnë armën kundër të vetëve. Këto duhen thënë, sepse e tillë është historia. Por, po ashtu duhet thënë se nuk është thjesht “vrasje e njerëzve nga njerëzit”. Ishte përpjekje serbe për të hequr qafe një popull të tërë, boshnjakët. Pra, ishte gjenocid. Autor ishte Serbia dhe ideologjia shoveniste e nacionalizmit serb, që kurrë nuk u ndërpre. Edhe në Kosovë ka pasur shqiptarë që kanë bashkëpunuar me Milloshin, siç ka pasur edhe serbë që kanë mbrojtur fqinjët me raste. Por, dinamika ishte e qartë – synohej largimi i shqiptarëve prej trojeve ku kanë banuar prej shekujsh. Të mos thënit e të vërtetës haptazi e pa droje nuk ndihmon në pajtimin mes popujve, por ndihmon vetëm në rehatimin dhe normalizimin e nacionalizmit shoven serb. Serbia duhet ta ndalë atë lloj të nacionalizmit dhe kjo arrihet duke kërkuar vazhdimisht ballafaqimin e tyre me historinë, me krimet e gjenocidet që i kanë bërë, derisa të vihet drejtësia. Kështu që, hiqe viçin, o Dritan. Nuk mjafton që ke kërkuar falje për sa kohë që, për të ruajtur pozitën tënde, flirton me partitë beogradocentrike dhe me bekuesen e kriminelëve, Kishën Serbe, që është element kryesor radikal i ideologjisë shoviniste në nacionalizmin serb.

Para do vitesh e pashë filmin “Kah me shkue oj Aidë” të regjisores boshnjake Jasmila Zhbaniq, që tregon me nota realiste historinë e Srebrenicës, ku më shumë se 8372 meshkuj boshnjakë pasi u ndanë dhunshëm nga nënat, gratë, motrat e bijat e tyre, u vranë. Në vitin 1995 ndodhi masakra, e cila u njoh nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid më shumë se një dekadë më pas. Ama, nga OKB-ja gjenocidi u njoh vetëm sivjet, thuajse dy dekada më vonë. Shumë vende turpshëm abstenuan. Jetët e 8372 boshnjakëve pak çonin peshë në logjikën gjeopolitike që verboi këto vende. Filmi karakterizohet nga një dëshpërim shfuqizues, sepse realiteti e historia ishin të tilla. Tregohet aty paaftësia e batalionit holandez dhe e kolonelit Thom Karremans, të cilët e kishin marrë mandatin nga OKB-ja për ta mbrojtur qytetin. Por, trupat holandeze të OKB-së u poshtëruan nga krimineli gjeneral Mlladiq. Karremansi kërkoi ndihmë dhe përforcime ajrore, por eprori i tij, gjenerali francez Bernard Janvier, hezitoi t’ia përmbushte kërkesën. Holandezët, francezët, holandezët, francezët, mosmarrëveshje e burokraci, burokraci e mosmarrëveshje, indiferencë e maskuar si interesim, pasivitet i maskuar si aktivitet, vonesë, vonesë, vonesë, teksa koha ecte përpara drejt tragjedisë.

I mbetur pa furnizime e ndihmë, koloneli Karremans i dorëzoi boshnjakët në dorë të Mlladiqit. Pastaj dihet ç’ndodhi. Kur e thirrën si dëshmitar në Hagë, koloneli holandez u shfajësua duke ia lënë fajin hezitimit të gjeneralit francez e duke thënë se nuk e pati ditur që do të ndodhnin vrasjet. Në vitet më pas ka pasur vartës të kolonelit që kanë treguar se kishin dijeni që vrasjet do të ndodhnin. Vetë Karremansi, në një konferencë të mëvonshme, lavdëronte aftësitë strategjike të Mlladiqit. Por, më shumë se sa fitore ushtarake e Mlladiqit, Srebrenica ka qenë humbje për njerëzimin dhe poshtërim ushtarak i perëndimorëve fjalëmirë por punëpakë.

Në film tregohen ushtarakët europianë, të cilët teksa dorëzonin te kasapi personat që prisnin mbrojtje prej tyre, kërkonin prej viktimave të ardhshme që të vazhdonin të zbatonin urdhrat dhe rregullat që jepeshin tashmë nga ushtarakët serbë. Nga viktimat kërkohet ruajtja e disiplinës dhe e qetësisë. Pa panik, drejt katastrofës. Në luftë si në paqe…

Europianët, çuditërisht, nuk e paskan kujtesën fort afatgjatë. Kur thonë sot se lufta që po shkakton Rusia në Ukrainë është e para pas Luftës II Botërore, harrojnë se nga ‘91 deri në ‘99 Serbia ndezi luftëra që shkaktuan jo pak, por më se 150.000 të vrarë dhe zhvendosjen e dhunshme të më se 4 milionë njerëzve. Po të flasësh me ta për këtë punë, herët a vonë arrin te përgjigjja “po po, por të gjitha palët patën përgjegjësi dhe kanë kontribuuar…”.

Masakrat dhe luftërat gjenocidale të Serbisë në vitet ’90-të nuk lindën nga hiçi. Në vitin 1983, në varrimin e Rankoviqit në Beograd morën pjesë më se 100.000 serbë. Pse u bë një funeral kaq masiv për një person i cili prej 15 vitesh ishte i larguar nga pushteti i asaj kohe dhe jetonte një jetë tërësisht private? Vetëm dhe thjesht për shkak të ashpërsisë që ai pati treguar ndaj popujve joserbë, e sidomos ndaj shqiptarëve! Pra, qysh atëherë kjo ishte ideologjia dominante te serbët, e krijuar ca me ndihmën e religjionit, ca me bindjen se janë një farë populli i zgjedhur me mision hyjnor/qytetërues/europianizues/mbrojtës të krishterimit, e ca me bindjen se historia me ta është treguar e padrejtë, ngaqë ata meritojnë më shumë e tash t’i hakmerren historisë. Popujt e tjerë të Jugosllavisë e dinin mirë këtë gjë, prandaj kur vdiq Tito morën vendimin ta eliminonin pozitën e presidentit federativ dhe të krijonin një presidencë ku udhëhiqnin me radhë (me rotacion) të deleguarit e republikave ose krahinave autonome. Rotacion për shkak të mosbesimit e frikës, që të mos kapej ajo pozitë nga serbët, që ishin kombi më i madh e më ambicioz-agresiv. Rotacion si taktikë mbrojtëse. Por, as kjo taktikë nuk mjaftoi. Emocionet e funeralit të Rankoviqit ishin të njëjta me ato që Millosheviqi vendosi t’i përdorte për të ardhur në pushtet, si për shembull me fjalimin e famshëm për serbët në Fushë-Kosovë. Ju nuk do vuani më, u tha serbëve që, në fakt, edhe pse minoritet, ishin të privilegjuar e diskriminues të shumicës shqiptare në Kosovë… Masiviteti serb në funeralin e Rankoviqit në vitin 1983 ishte paraprirësi i masivitetit serb në mbështetje të Millosheviqit në vitet 1989-1999.

Nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kemi dëgjuar disa herë të thuhet se 80 për qind e opinionit publik në Serbi eadhuron Putinin, edhe në këtë kohë sulmesh pushtuese e masakrash në Ukrainë. Këtë gjë Rama e ka thënë edhe në Bruksel, më 23 qershor 2022, duke iu përgjëruar europianëve ta pranojnë Serbinë dhe të tjerët në BE. Meqë serbët e adhurojnë Putinin, mendon Rama, atëherë ata duhet të futen në BE për t´u shëruar. BE-ja si spital? Disa herë të tjera Edi Rama duket se ka menduar edhe për spitale të tjera për sëmundjen e serbëve, duke thënë se paqen në Ballkan do ta sjellë iniciativa Beograd-Tiranë-Shkup (Open Balkan). Gjithnjë kam pyetur veten se pse flet ky për ardhjen e paqes, kur formalisht Ballkani ka paqe e jo luftë, qysh prej vitit 1999. Mirëpo, kur e dëgjova konferencën në Bruksel, kuptova se 80 për qind e opinionit serb që mbështet Putinin dhe stërarmatimi i Serbisë me armatime kineze e ruse e paskan trembur fort Ramën. Ai ka vendosur ta mbajë armikun sa më afër, mundësisht të përqafuar, duke u lutur që lufta të mos ndodhë kurrë. Pak a shumë si ajo përralla me gomarin që teksa ujqit po e kafshonin, ai lutej që të ishte në ëndërr. Në paqe si në luftë.

Edi Rama, i cili për 13 vite ka investuar fare pak në ushtri e të cilit as katër helikopterët e famshëm ushtarakë nuk po i çohen, kur u pyet për sistemet raketore kineze që bleu Serbia, tha se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ngaqë Serbia i paska blerë vetëm për mbrojtje. Por, vallë nga kush paska frikë, nga kush do të mbrohet Serbia? Nga helikopterët e Ramës? Dihet se Serbia nuk mbrohet dot prej NATO-s e as nuk e sulmon dot atë. Por, si në Srebrenicë, Serbia mund të shkaktojë plagë të rënda tek vendet e popujt fqinjë, prej të cilëve nuk ka asnjë arsye të mbrohet.

Në filmin “Kah me shkue oj Aidë” vërtetësia mizore këmbëngul gjer në fund. Aida, së cilës ia vrasin burrin e dy bijtë, detyrohet të bashkëjetojë me kriminelët e padënuar, tashmë të shndërruar në “civilë të zakonshëm”. Në Serbi e në Republikën Srpska jetojnë dhjetëra mijëra të tillë, që do të duhej të shkonin në gjyq, mandej burg e rehabilitim. Kjo nuk ndodh. Përkundrazi, më shpesh e më ashpër gjykohen luftëtarët e popujve që u mbrojtën pa e sulmuar kurrë Serbinë.

Kah me shkue?

Prej shqiptarëve pritet që në radhë të parë të rritet ndjeshëm bashkërendimi Tiranë-Prishtinë-Shkup-Podgoricë dhe sa më shpejt të forcohet sektori i bujqësisë e i ushqimit, sektori i energjisë dhe ushtria – brenda NATO-s. Dështimet tona në paqe gjatë 20 viteve me radhë, dikush tjetër, që pret momentin, me siguri i merr si ftesë për të na u turrur me luftë. Zaten, Vuçiqi këtë edhe e ka thënë. Ai pret të fitojë Trumpi për t´u kthyer në Kosovë me ushtri. Kështu që, neve na mbetet veç të tregojmë se dimë të jemi efikasë e të suksesshëm në paqe, sepse lufta s’është gjë tjetër, pos vijimësi e paqes.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button