Cinizmi i ambasadores së Izraelit në Tiranë

Shkruan: Redi SHEHU
Së fundmi, Izraeli, përmes ambasadores së tij në Tiranë, ka filluar një trajnim për një grup mësuesish shqiptarë me fokus edukimin për Holokaustin dhe luftën kundër antisemitizmit. Cinizëm më të madh se ky, në mesin e një gjenocidi që vazhdon sot e kësaj dite në Palestinë, vetëm sionistët izraelitë mund ta bëjnë.
E para, veçanërisht Shqipëria është ajo që ka më pak nevojë të trajnohet për antisemitizëm dhe Holokaust. Neve nuk na duhet një narrativë e importuar politike për të na treguar se çfarë është antisemitizmi, sepse ishim ne që i dhamë një leksion të gjithëve se si tjetri nuk pritet në besë. Ne jemi vetë historia në këtë pikë. Ambasadorja e Izraelit është vetë politika, e cila përdor narrativën e Holokaustit për të legjitimuar gjenocidin palestinez. Për ta bërë atë pa kujtesë, pa fytyra dhe pa histori.
E dyta, ka institucione ndërkombëtare, ka universitete, profesorë, ka institucione arsimore shtetërore dhe ndërkombëtare, të cilët mund të zhvillojnë trajnime më profesionale, duke e bërë këtë proces më të pavarur dhe profesional. Si mundet që nga shteti ynë t’i delegohet një shteti të vetëm sionist autoriteti mbi narrativën e ngjarjes? Çfarë mund të trajnojnë këta përfaqësues izraelitë, të cilët kanë 78 vjet që kanë plotësuar trekëndëshin: aparteid-masakra-gjenocid?
E treta, si mund të bëhet nga vetë sionistët izraelitë, gjatë trajnimit, dallimi mes Holokaustit si fatkeqësi historike dhe politikave të sotme mizore të shtetit izraelit? A po përdoret kujtesa historike për të legjitimuar sjelljen e sotme? A po i japin mësuesve shqiptarë një shabllon të gatshëm dhe jo një metodologji historike?
Është deri diku njësoj sikur ambasada ruse të financojë dhe të trajnojë mësuesit shqiptarë mbi historinë e Ukrainës, apo sikur ambasadorja serbe në Tiranë të udhëhiqte trajnimin e mësuesve tanë mbi historinë e Kosovës. Një shtet si Izraeli, që është subjekt para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me akuzën për shkelje të Konventës së Gjenocidit, jo vetëm që nuk duhet të trajnojë një shtet tjetër, por ai duhet bojkotuar, se ka shkelur parimet bazë mbi të cilat ekziston shoqëria njerëzore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button