Dhuna familjare dhe Islami

Besimtarë të nderuar, familja është çerdhja ku njeriu gjen prehjen, sigurinë dhe ngrohtësinë e shpirtit. Shtëpia është menduar të jetë një strehë paqësore në mesin e një bote shpesh të trazuar. Mirëpo, sot përballemi me një nga plagët më të rënda që e kërcënon këtë çerdhe dhe që i trondit themelet e tërë shoqërisë sonë. Kjo është dhuna brenda familjes. Përderisa dhuna në rrugë ose në hapësirat publike është e dukshme dhe dënohet nga të gjithë, dhuna brenda katër mureve të shtëpisë shpesh mbetet e fshehtë, e padukshme dhe e padënueshme. Nuk shkon javë që nuk dëgjojmë dhunë ndaj grave, madje shpesh edhe vrasje të tyre. Kjo është një plagë që nuk nuk guxojmë të mos e trajtojmë.All-llahu i Madhërueshëm e ka përcaktuar me saktësi se mbi çfarë rrëgullash duhet të ngrihet jeta bashkëshortore. Në Kuranin Fisnik Ai ka thënë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë. (Er-Rum, 21)
Aty ku në vend të dashurisë, mirëkuptimit dhe respektit mbizotëron frika, keqkuptimi dhe urrejtja, aty shembet personaliteti i individit dhe humbet siguria më e shtrenjtë. Sot, për fat të keq, ka nga ata që mundohen ta arsyetojnë dhunën në familje edhe përmes interpretimeve të gabuara të teksteve fetare. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj Islamit. Sepse i pari që e shfuqizoi përdorimin e dhunës me praktikën e tij ishte vetë Muhammedi a.s. Bashkëshortja e tij, Aisheja r.a., dëshmon se: “I Dërguari i All-llahut kurrë nuk e ka goditur me dorë askënd, asnjë grua dhe asnjë shërbëtor.” (Transmeton Muslimi) Madje, në një trasmetin të Ebu Hurerjes, Muhamedi a.s. ka thënë: “Besimtarët me besimin më të plotë janë ata që kanë moralin më të mirë, ndërsa më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirët ndaj grave të tyre.” Prandaj,le t’i kthejmë familjet tona në vatrat e komunikimit të pjekur, dashurisë dhe barazisë, duke e çrrënjosur çdo formë të dhunës e zullumit, e duke ndjekur shembullin me të mirë të Pejgamberit tonë në sjelljen me familjen, i cili na e ka lënë porosinë e prerë,ku thotë:“Kini frikë All-llahun për hakun e dy të dobëtëve: grave dhe jetimëve!”.
Dhe, këtë që e them, nuk e kam zgjedhur rastësisht për sot dhe në këtë xhuma. Këto ditë në procedurë parlamentare në Kuvendin Repubikan është ligji për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e grave nga dhuna. Do të ishte gjëja më e mirë nëse me këtë ligj do të mbroheshin vetëm gratë dhe vetëm familja, por e vërteta është se përmes këtij ligji synohet të infiltrohen edhe çështje që kanë të bëjnë me relativizimin e familjes, duke e rikthyer në shkolla edukimin seksual, i cili thotë se gjinia nuk është e lindur, se nuk vjen nga biologjia, porse është një orientim social dhe përzgjedhje personale e secilit se a dëshiron të jetë mashkull, femër ose edhe asnjanës. Ndërsa pas kësaj vijon edhe martesa mes gjinive të njëjta. E kjo bie ndesh me atë që e predikon Islami ynë dhe të gjitha fetë qiellore. Për neve gjinia është kategori biologjike, të cilën e ka përcaktuar Zoti. Prandaj, jemi dakord që të ketë ligj që e lufton dhunën në familje, sepse këtë edhe Islami ynë e predikon, por nuk e pranojmë që në emër të kësaj ta luhatin familjen tonë tradicionale.
Duke qëndruar në këtë minber të Resulullahut, dua t’u bëj thirrje deputetëve myslimanë, por edhe atyre të krishterë – pse jo, që mos ta votojnë këtë ligj, sepse kjo bie ndesh edhe me natyrën njerëzore, edhe me fenë e Isait a.s., edhe me fenë e Muhamedit a.s., por edhe me traditën tonë. Si hoxhë që duhet ta flasë të vërtetën islame dhe ta mbrojë atë pavarësisht interpretimeve, u bëj thirrje edhe kolegëve të mi hoxhallarë, por edhe teologëve të krishterë, që ta mbrojnë familjen, sepse kjo është bërthama që e garanton jo vetëm llojin njerëzor, jo vetëm mrekullinë e ekuilibrit natyror, por familja është bërthama që neve na bën njerëz. Në familje ne bëhemi fëmijë, bëhemi djem e vajza, bëhemi të rinj e të reja, bëhemi gra e burra, bëhemi nëna dhe baballarë dhe në fund bëhemi gjyshër. Familja është çerdhja që e ruan traditën, që e ruan historinë tonë, që e ruan fenë tonë, që e ruan moralin tonë, që na e mëson turpin, mirësjelljen dhe dashurinë mes vete. Pa familje ne jemi individë të braktisur, ndërsa me familje ne jemi qenie sociale që kanë kuptim dhe rol në shoqëri.
Të dashur vëllezër, kombi që ka pasur familje si ajo e Adem Jasharit nuk mund të përfundojë në familje ku nuk dihet kush është babai e kush është nëna ose ku fëmija nuk e di se kë e ka baba. Duke u lutur që Zoti ta bekojë familjen tonë siç e ka bekuar familjen e Ademit a.s. me Havanë, siç e ka bekuar familjen e Muhamedit a.s. me Hatixhen r.a. dhe siç e ka bekuar familjen e Aliut r.a. me Fatimen r.a., lutem që në familjet tona të mos ketë dhunë, që gratë tona të jenë zonjat tona, ndërsa devijimet që na imponohen në familje, të shporren nga mjedisi ynë dhe ummeti ynë, shteti ynë, kombi ynë e familjet tona të vazhdojnë të jetojnë e të frymojnë në këtë traditë ashtu siç kemi jetuar e frymuar me shekuj. Amin. Ashtu qoftë!
E meqë nesër është Dita e Flamurit, dëshiroj që të gjithë shqiptarëve kudo që janë t’ua uroj këtë festë dhe të lutem që jeta jonë të jetë flamur i sukseseve, inshaallah! Amin!
————
Abdusamed Zeqiri,
Ligjërues në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup – 27.11.2026

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button