U shpalosën “Ditët e Alfabetit 2026”

Sot, në sallën “Wilson” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u mbajt ceremonia solemne e hapjes së manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit 2026”.
Në hapjen solemne, të pranishmëve iu drejtuan drejtori i ITSHKSH-së, Besnik Emini, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, dhe drejtori i Muzeut të Alfabetit – Manastir, Nuer Asllani. Programi u moderua nga Valdeta Kasapi dhe u shoqërua me dy pika muzikore nga “Duo Scupi”.
Drejtori i ITSHKSH-së, Besnik Emini, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e trajtimit shkencor dhe profesional të teksteve shkollore, duke nënvizuar se ato duhet të jenë objekt i vazhdueshëm i vëmendjes së studiuesve dhe profesionistëve të arsimit.
“Tekstet shkollore, jo vetëm për shkak të pranisë së tyre në debatin publik të viteve të fundit, por edhe për shkak të rëndësisë së pazëvendësueshme që e kanë për zhvillimin e arsimit të secilit komb e shoqëri, duhet të jenë objekt i vazhdueshëm i shkencës dhe profesionistëve”, u shpreh Emini. Ai shprehu pritjen që punimet e konferencës të rezultojnë me konkluzione dhe rekomandime të vlefshme për modernizimin e teksteve shkollore dhe eliminimin e dobësive të tyre, veçanërisht në kushtet e zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe sfidave që teknologjia paraqet për mësimin tradicional.
Emini rikujtoi gjithashtu se këto ditë përkojnë me 19-vjetorin e themelimit të Institutit, duke e cilësuar këtë institucion si një akt me rëndësi të veçantë për shkencën, ruajtjen e kulturës dhe artikulimin e vlerave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi nevojën për angazhim të vazhdueshëm institucional dhe profesional, me qëllim që Instituti të forcojë pozitën e tij përkrah institucioneve të ngjashme brenda dhe jashtë vendit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, vlerësoi përzgjedhjen e teksteve shkollore si temë qendrore të konferencës, duke theksuar lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet historisë dhe përgjegjësive arsimore të së tashmes.
“Uroj që kjo konferencë të dalë me rekomandime të qarta se çfarë duhet përmirësuar, kujt i takon ta bëjë dhe si mund të ndiqet zbatimi i tyre”, theksoi Mexhiti në fjalën e tij. Ai e inkurajoi Institutin që rezultatet dhe konkluzionet e konferencës t’ua përcjellë institucioneve dhe faktorëve vendimmarrës, duke e vlerësuar atë si institucion të rëndësishëm për evaluimin e teksteve shkollore dhe dhënien e rekomandimeve profesionale. Mexhiti theksoi veçanërisht rëndësinë e konsolidimit të gjuhës shqipe në tekstet mësimore dhe të eliminimit të përmbajtjeve që mund të krijojnë paragjykime, urrejtje ose interpretime diskriminuese mbi baza etnike, fetare apo racore.
Ministri i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, e vendosi këtë nismë në vazhdën e përpjekjeve historike për mbrojtjen dhe afirmimin e gjuhës, kulturës dhe arsimit shqip. Ai theksoi se nga Rilindja Kombëtare dhe Kongresi i Manastirit e deri te themelimi i ITSHKSH-së në Shkup, përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë shqiptare kanë vazhduar në forma të ndryshme. Ferati rikujtoi edhe rëndësinë e themelimit të Institutit me iniciativën e Arbër Xhaferit, duke nënvizuar se angazhimi për kulturën shqiptare duhet të përfshijë edhe përkushtimin për tekste shkollore cilësore, të cilat garantojnë arsimim të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm të brezave të rinj.
Ndërkaq, drejtori i Muzeut të Alfabetit – Manastir, Nuer Asllani, në fjalën e tij u ndal te domethënia historike e Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe përgjegjësia e brezave të sotëm për të ardhmen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. “Madhështia e Kongresit të Manastirit nuk qëndron vetëm te vendimet që mori, por edhe te guximi i një brezi për ta vendosur të ardhmen e kombit mbi interesat dhe dallimet e kohës së vet”, theksoi Asllani. Ai nënvizoi se vendimet e marra në Manastir për alfabetin e gjuhës shqipe përfaqësojnë një dëshmi të vizionit dhe përgjegjësisë historike, duke e lidhur këtë trashëgimi me sfidat e arsimit dhe kulturës në ditët e sotme. “Në vitin 1908, në Manastir, shqiptarët vendosën se si do ta shkruanin gjuhën e tyre; sot duhet të vendosim se si do ta shkruajmë të ardhmen tonë”, përfundoi Asllani.
Pas hapjes solemne, ka vijuar konferenca shkencore “Gjendja e teksteve shkollore në RMV”, me ç’rast janë mbajtur dy sesione: “Metodologjia e hartimit të teksteve shkollore” dhe “Gjuha shqipe në tekstet shkollore”, në të cilat janë lexuar gjithsej 18 kumtesa. Konferenca i vazhdon punimet edhe në dy ditët në vazhdim.
Manifestimi organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Ministria e Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Çairit dhe Muzeu i Alfabetit – Manastir.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button