Orhan Kurtishi: Rreth 38% e punonjësve të Postës janë shqiptarë, synimi im është përfaqësimi 50%

Drejtori i përgjithshëm i “Postës së Maqedonisë”, Orhan Kurtishi, ka deklaruar se rreth 38 për qind e të punësuarve në këtë institucion janë shqiptarë, ndërsa synimi i tij është që përfaqësimi të arrijë të paktën në nivelin 50 me 50.

 

Gjatë intervistës në podcastin “FOL” me Nexhat Aqifin në Televizionin Festa, Kurtishi foli për strukturën e të punësuarve dhe punësimet e realizuara gjatë mandatit të tij.

 

Sipas tij, Posta e Maqedonisë ka aktualisht rreth 2.000 punonjës, të shpërndarë në administratë, shërbimet postare dhe sektorin teknologjik, ndërsa veprimtarinë e zhvillon përmes 330 pikave postare në të gjithë territorin e vendit.

 

“Për fat të mirë, 38 për qind e të punësuarve janë shqiptarë. Është një përfaqësim i mirë, por për mua si drejtor që vij nga komuniteti shqiptar nuk është i kënaqshëm. Unë mendoj se duhet të jemi minimumi 50 me 50, pavarësisht numrave që tregojnë statistikat shtetërore”, deklaroi Kurtishi.

 

Ai bëri të ditur se gjatë periudhës që drejton institucionin janë realizuar punësime të reja të shqiptarëve, kryesisht në shërbimet postare.

 

“Në këtë periudhë sa jam drejtor kemi rreth 100 postierë shqiptarë të punësuar, ndërsa në sportele dhe administratë kemi edhe 40 të tjerë”, tha Kurtishi.

 

Drejtori i Postës paralajmëroi gjithashtu një konkurs të ri për punësim, i cili, sipas tij, pritet të shpallet gjatë javës së ardhshme.

 

Ai vlerësoi se me punësimet e reja, numri i përgjithshëm i shqiptarëve të punësuar gjatë mandatit të tij mund të arrijë në rreth 170 brenda një periudhe prej dy vjetësh e disa muajsh.

 

Kurtishi theksoi se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike mbetet një çështje e rëndësishme, ndërsa shprehu synimin për përmirësimin e mëtejshëm të kësaj gjendjeje në Postën e Maqedonisë. /tvfesta

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button