Putini: Kina, Brazili ose India mund të jenë ndërmjetës në bisedimet e paqes me Ukrainën
Kina, Brazili ose India janë emrat e shteteve që presidenti rus Vladimir Putin do t’i konsideronte “ndërmjetës të ndershëm” në bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan “Politico”.
Duke folur në një panel diskutimi në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivotosk të Rusisë të enjten, Putini u pyet se cilat vende mund të udhëheqin bisedimet e paqes me Ukrainën.
“Para së gjithash, Republika Popullore Kineze, Brazili, India. Unë jam në kontakt me partnerët e mi… ne kemi besim te njëri-tjetri. Nëse ekziston dëshira e Ukrainës për negociata, mund ta bëj”, ka thënë Putin.
Komentet e Putinit erdhën pasi Kievi ka thënë se nuk do të ketë negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, por po punon për të ndërtuar koalicion ndërmjetësish për të ndihmuar përfundimin e luftës. Ka shpresë në Ukrainë se disa shtete ndërmjetësuese, përfshirë ato që janë me prirje nga Rusia, mund ta shtynë përpara formulën e paqes prej 10 pikash të presidentit ukrainas Vlodymyr Zelensky dhe që luftës e cila ka filluar nga shkurti i vitit 2022 t’i jepet fund.
Putin ishte në panel në Vladivostok së bashku me kryeministrin e Malajzisë, Anwar Ibrahim dhe zëvendëspresidentin kinez Han Zheng.
“Kina kundërshton proteksionizmin, kundërshton përpjekjet për të thyer zinxhirët [furnizues], kundërshton futjen e sanksioneve të njëanshme dhe presionin e shtuar”, ka thënë Zheng.
Fjalë lavdëruese për Putinin pati kryeministri Ibrahim, i cili e kishte lavdëruar më parë presidentin rus për “rritjen e zhvillimit ekonomik të Rusisë”. “Ju keni treguar vendosmërinë për të qenë në gjendje të përballoni vështirësitë dhe të mbijetoni, dhe me siguri do të përfitonim nga kjo përvojë”, ka thënë Anwar.
Anwar konfirmoi gjithashtu se Malajzia synon t’i bashkohet grupit BRICS të ekonomive në zhvillim, duke thënë se kjo “do të na lejojë të forcojmë marrëdhëniet tona [me Rusinë], veçanërisht në fushën e tregtisë”.
Fillimisht e themeluar në vitin 2009 për të nxitur lidhje më të ngushta midis Rusisë, Kinës, Indisë dhe Brazilit, BRICS tani përbëhet nga nëntë anëtarë duke përfshirë Iranin, Egjiptin, Afrikën e Jugut, Etiopinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Arabia Saudite ka treguar se po konsideron t’i bashkohet grupit, ndërsa Malajzia dhe Azerbajxhani kanë aplikuar zyrtarisht.